100 avokatë e këngëtarë në sitën e Prokurorisë

  • 26 May 2016 - 07:52
100 avokatë e këngëtarë në sitën e Prokurorisë

Dyshohet se "VIP"-at e estradës dhe të avokaturës shmangin pagesën e tatimeve.

Analisti i ekonomisë Ardian Nokaj tha se Prokuroria e Shtetit, duke u bazuar në një strategji kombëtare të Qeverisë për luftimin e ekonomisë joformale, në mungesë të vullnetit disavjeçar për ta zbatuar ligjin dhe për të ndjekur penalisht të gjithë ata që i janë shmangur pagesës së tatimit, ka nisur zbatimin e një plani për mbledhjen e detyrimeve të pashlyera financiare ndaj shtetit.

Disa persona në Kosovë fitojnë shumë, por paguajnë fare pak tatime dhe nuk kanë arka fiskale. Avokatë dhe këngëtarë janë në këtë listë. Sipas një burimi, thuhet se Prokuroria ka kërkuar informata të detajuara nga Administrata Tatimore e Kosovës, e që janë futur në listën fillestare të përpiluar në bashkëpunim me zyrtarë të Njësisë së Inteligjencës Financiare. Bëhet fjalë për afër 100 raste. Prej tyre, 56 janë avokatë dhe të tjerët këngëtarë të njohur të estradës. Me gjithë akuzat e bëra në adresë të tyre, se fitojnë shuma të mëdha të parave dhe po iu shmangen tatimeve ndaj shtetit, avokatët e Kosovës dhe personazhet e estradës kosovare i kanë mohuar këto akuza duke thënë se edhe ata nuk janë të obliguar të pajisen me arka fiskale. Yll Zekaj, drejtor ekzekutiv në Odën e Avokatëve të Kosovës, ka thënë se avokatët ofrojnë shërbime profesionale nga të cilat realizojnë të hyra (fitim) për të cilat obligohen që të paguajnë tatime konform rregullativës së Administratës Tatimore të Kosovës. "Oda e Avokatëve të Kosovës ka bashkëpunim të ngushtë me Administratën Tatimore të Kosovës dhe sipas normativës të së njëjtës avokatët të cilët realizojnë të hyrat e tyre përmes llogarive bankare nuk obligohen të pajisjen me arka fiskale, e qe në asnjë rast nuk nënkupton mospagesë të obligimeve tatimore", theksoi ai. Edhe avokati Musa Dragusha, ishkryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës , ka thënë se avokatët kosovarë, në bazë të ligjeve në fuqi të ATK-së, nuk janë të detyruar të pajisen me arka fiskale. Por, megjithatë, avokati Dragusha sqaroi se të gjithë avokatët kosovarë për shërbimet që i ofrojnë janë të detyruar që të paguajnë tatimin ndaj shtetit konform rregullave të ATK-së.

Këngëtarët nuk shprehen publikisht

Ndërkaq, sipas shumicës së këngë- tarëve të estradës kosovare, edhe ata si individë nuk janë të obliguar që të pajisen me arka fiskale, por kjo vlen vetëm në rastet kur dikush nga këngë- tarët disponon me ndonjë biznes apo shtëpi diskografike . Sipas tyre, fitimin e bërë nga veprimtaria që e zhvillojnë janë të detyruar që vetë ta deklarojnë në ATK me kontratën paraprake të bërë me palën apo individin që janë si të hyra nga veprimtaria që e ushtrojnë. Madje, për të njëjtat të hyra ata i paguajnë shtetit tatimin në fitim sipas ligjeve në fuqi dhe së këndejmi akuzat në adresën e tyre nuk qëndrojnë, ka thënë njëri nga këngëtarët e estradës, që ka folur në kushte anonimiteti. Sipas këtij këngëtari, shumica e tyre janë duke i kryer me përpikëri obligimet tatimore ndaj shtetit dhe akuzat ndaj tyre se po u shmangen tatimeve nuk qëndrojnë, ndonëse, sipas tij, nuk përjashtohet që të ketë ndonjë rast të tillë. Po ky burim ka thënë se asnjëri nga këngëtarët e estradës kosovare në Kosovën e pasluftës nuk është ndëshkuar nga ATK-ja për shmangie tatimi. Shmangia e tatimit.(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)