I riu u vra pas sherrit për këngën ‘Moj Lulia jonë’

  • 26 May 2016 - 10:09
I riu u vra pas sherrit për këngën ‘Moj Lulia jonë’

Prokuroria e Laçit ka dërguar në gjyq shtetasin Ergest Cara, i akuzuar për vrasjen e 21-vjeçarit Ervis Zyba, pas një konflikti për një këngë në tallava. Të rinjtë ishin konfliktuar më parë mes tyre, por sherri ishte shuar pas ndërhyrjes së familjeve respektive. Gjithçka nisi nga rrjeti social Facebook.

Një 21-vjeçar nga Laçi është vrarë mesnatën e 25 shkurtit 2016 në një lokal nate, vetëm për faktin se ngacmoi të akuzuarin për vrasje me një këngë “hip-hop tallava”.

Kjo përplasje ishte fundi i një konflikti mes tyre, nisur fillimisht në rrjetin social Facebook dhe që degjeneroi më pas në konflikte fizike.

Si autor të vrasjes, prokuroria akuzon Ergest Carën, i cili është ndjerë i fyer nga një këngë e porositur në tallava nga viktima Ervis Zyba.

Dy të rinj nga Kurbini, kishin kohë që ishin përplasur me njëri-tjetrin. Zyba akuzonte Carën se i kishte ngacmuar të dashurën në rrjetin social Facebook.

Kjo e fundit kishte njoftuar djaloshin, i cili nuk kishte duruar dhe ishte përleshur me “rivalin” e tij. Konflikti fizik ishte shuar përkohësisht, pasi familjet e dy djemve kishin ndërhyrë për të qetësuar debatin.

Por të rinjtë, pavarësisht se ju kishin premtuar familjarëve që mes tyre nuk do të kishte më përleshje, në fakt nuk e kanë harruar lehtë zënkën.

Mbrëmjen e 25 shkurtit 2016, Ervis Cara dhe dy miqtë e tij, Xhevair Lita dhe Drilon Leka, kanë shkuar në një lokal nate, në qytetin e Laçit.

Po në të njëjtin lokal, pak më vonë ka mbërritur edhe Ergest Cara, i shoqëruar nga miku i tij, Dorjan Cara.

Djemtë kanë qenë në tavolina pranë njëri-tjetrit, por nuk kanë shkëmbyer asnjë fjalë dhe nuk ka pasur asnjë zënkë.

Megjithatë, tensioni ka qenë i dukshëm mes të dyja palëve, të cilat kanë gjetur një mënyrë “origjinale” për të ngacmuar njëri-tjetrin.

Si Zyba, ashtu edhe Cara, kanë porositur në lokalin e natës që të vihej në bokse një këngë tipike për të rinj “të fortë”, e kënduar nga një grup reperësh kosovarë “Moj lulia jonë”.

Teksti i kësaj kënge është një lloj sfide për “rivalët” në konflikte.

Në këtë mënyrë, të dy djemtë kanë përcjellë mesazhin se konflikti ndërmjet tyre nuk është zgjidhur. Më i lënduar në sedër duket se ka qenë Ergest Cara, i cili është larguar nga lokali, së bashku me mikun e tij.

Ndërsa Ervis Zyba, i kënaqur që ka arritur të fitojë sfidën me kundërshtarin e tij, ka qëndruar më gjatë në lokal.

Prokuroria e Kurbinit, e cila ka dërguar tashmë dosjen në gjykatë kundër Ergest Carës, i akuzuar për vrasje, ka dhënë disa detaje mbi mekanizmin e ngjarjes.

Rreth mesnatës, Zyba dhe dy miqtë e tij kanë dalë nga lokali dhe janë drejtuar për në parking, ku kishin lënë mjetin e tyre.

Sapo kanë hipur në makinë, një person i panjohur prej tyre u ka dalë në pjesën anësore të mjetit me pistoletë në dorë, duke iu kërkuar të mos lëviznin.

Ndërsa në pjesën e parme të makinës, ka dalë me automatik në dorë Elgert Cara, i cili ka qëlluar disa herë me nga një plumb, duke lënë të vdekur në vend Ervis Zybën.

Ndërkohë, miku i Zybës, Xhevair Lita, ka arritur të hidhet në sediljen e pasme të mjetit, duke iu shpëtuar plumbave.

Nga ky pozicion, ai ka qëlluar me një pistoletë, të cilën e mbante pa leje, në drejtim të tavanit të makinës, për të trembur agresorët që i kishin rrethuar.

Brenda pak çastesh, ndoshta edhe të frikësuar, i pandehuri Elgert Cara dhe ata që e shoqëronin, janë larguar me shpejtësi.

Po me shpejtësi është larguar nga makina edhe Xhevair Lita, i cili më pas është rikthyer dhe ka gjetur të qëlluar mikun e tij, Ervis Zyba.

E ka marrë menjëherë në makinë për ta dërguar në spital, me shpresën se mund të ishte gjallë. Zyba mbërriti pa jetë në spital, ndërkohë që po aty u arrestua edhe Lita, i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Dy ditë pas ngjarjes, u bë e mundur të arrestohej edhe autori kryesor, Elgert Cara, si edhe Dorjan Cara, ky i fundit i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Kurbinit akuzon edhe shtetasin Drilon Leka për moskallëzim krimi, pasi, megjithëse ka qenë në dijeni të gjithçka sa ka ndodhur, nuk e ka raportuar ngjarjen në Polici.

(Kosova Sot)