Rrëfimi i djaloshit nga Siria që jeton i vetëm në “xhungël” (Video)

  • 26 May 2016 - 10:34
Rrëfimi i djaloshit nga Siria që jeton i vetëm në “xhungël” (Video)

Omar është një djalë i cili jeton vetëm në “xhungël”, kampin e refugjatëve në Calais, Francë, pa prindërit dhe kujdestarët të cilët do ta ndihmonin për të tejkaluar një periudhë të vështirë në fëmijërinë e tij.

Ai vizatoi disa nga përvojat e tij dhe vizatimet janë futur në një film të shkurtër të BBC, pamje që tronditën shumë nga ata që i shikuan.

Ai vizatoi takimet e para të tija me aeroplanët, duke shtuar se tanimë edhe fëmijët e vegjël nga vendet e prekura nga lufta, dinë të dallojnë llojin e aeroplanëve që fluturojnë mbi shtëpitë e tyre.

“Kam dëgjuar shpërthime përreth meje. Kur binin bombat, askush nuk kishte guximin të shikonte se ku ranë”, ka shtuar më tej djaloshi.

Vogëlushi tha se kurrë nuk do të largohej nga Siria, nëse nuk do të kishte luftë në këtë vend.

Ai ka përshkruar rrugëtimin e tij me anije, takimin me kontrabanduesit, anijembytjen dhe përvojën në vendet e Evropës.

“Më dërguan në dhomën e marrjes në pyetje, dhe atje më vodhën. Provova ta fsheh pasaportën time – më pa një polic dhe më goditi. Isha i frikësuar”, ka rrëfyer djaloshi, përcjell Telegrafi.

Ai ka më shumë se tre muaj që gjendet në këtë kamp duke pritur dikë për ta ndihmuar që të bashkohet përsëri me familjen e tij që ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar. 

(Kosova Sot)