Kelmendi: Për OJQ-të e rëndësishme është vetëm paraja

  • 26 May 2016 - 12:13
Kelmendi: Për  OJQ-të e rëndësishme është vetëm paraja

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi në një prononcim për Gazetën Kosova Sot ka thënë se :  Shikuar për nga analizat e punës së OJQ-ve në vendet e tjera, OJQ-të do të duhej të ishin subjekte të rëndësishme për ta luajtur një rol kontrollues aktiv ndaj pozitës, përkatësisht Qeverisë, si qendrore, ashtu edhe asaj lokale, me qëllim të ndërtimit më të mirë të normave ligjore dhe të funksionimit të shtetit ligjor, por në Kosovë ka devijime të mëdha në këtë fushë veprimi.

"OJQ-të në Kosovë janë shndërruar në mekanizma për të degjeneruar mentalitetin e qytetarit, duke sjellë mendime dhe ide të dëmshme për ndërgjegjen dhe moralin tonë. Ato janë mekanizma, që kanë sjellë në vend edhe ide politike dhe ideologjike nga më të ndryshmet.

Kemi një konglomerat të nduarnduarshëm të ideve, nga ato të djathta, të qendrës dhe të majta, deri te idetë terroriste, të karakterit fetar dhe natyrisht edhe të një karakteri armiqësor. Kemi OJQ që kryesisht u shërbejnë armiqve të shtetit dhe të së drejtës", tha prof. Kelmendi. Grupi tjetër i OJQ-ve, sipas tij, është ai i qëllimit të pastër të përfitimit material dhe asgjë më shumë. "Kemi grupin tjetër të OJQ-ve për të fituar para, përkatësisht financa, dhe janë shndërruar në mekanizma bankarë të spastrimit të parave. Në OJQ-të e vendit dhe ato ndërkombëtare kemi para nga të tëra anët e botës. Financat vijnë edhe nga Rusia e Serbia, nga vendet arabe, ato të BE-së dhe nga kush jo.

Për OJQ-të, pra e rëndësishme është vetëm paraja, pavarësisht punës që kryejnë në kontinuitet", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, institucionet e drejtësisë duhet të alarmohen dhe të merren seriozisht me hetimin e veprimtarisë së të gjitha OJQ-ve vendore e ndërkombëtare, sepse ka disa prej tyre që realisht janë shndërruar në rrezik permanent për shtetin dhe popullin. "Nëpër këto OJQ janë instaluar dy lloj shërbimesh. Në njërën anë, shërbimi kriminal i spastrimit të parasë së pistë dhe, në anën tjetër, janë shërbimet informative të shteteve, të cilat po kryejnë shumë punë kriminale ndaj vendit tonë. Çështjet e tilla duan analiza dhe masa konkrete", theksoi Kelmendi.

(Kosova Sot)