OJQ-të, vatër milionash, propagande dhe spiunazhi

  • 26 May 2016 - 07:40
OJQ-të, vatër milionash, propagande dhe spiunazhi

Në emrin e shoqërisë civile, disa organizata janë bërë të dëmshme.

Ekspertët shprehin dyshime për pastrim parash dhe veprime të rrezikshme. 

Sipas analistëve, institucionet e drejtësisë duhet të alarmohen dhe të merren seriozisht me hetimin e veprimtarisë së të gjitha OJQ-ve vendore e ndërkombëtare, sepse ka disa prej tyre, që realisht janë shndërruar në rrezik permanent për shtetin dhe popullin.

Diskutimi i zhvilluar gjatë këtyre ditëve, rreth Projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, ka ngritur seriozisht dyshimin e bazuar se në Kosovë është shumë i përhapur fenomeni i shpëlarjes së parave të pista edhe përmes të OJQ-ve të ndryshme. Këtë shqetësim e ka ngritur deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili ka thënë se, sipas njohurive që ka ai, madje informacioneve shumë zyrtare, ka pasur organizata joqeveritare, të cilat kanë marrë gati 300 mijë euro në muaj për financimin e veprimtarive të tyre. Sipas tij, një nga këto OJQ ka pasur vetëm një individmenaxher në atë organizatë. Mirëpo, kjo nuk është vetëm një rast, derisa problemi akoma më i madh qëndron në faktin se nuk mund të sigurohen akoma informacione se kush realisht i kontrollon këto OJQ, sepse nuk ka auditime të këtyre OJQ-ve, derisa informacionet flasin se në gjithë territorin e Kosovës vetëm gjatë vitit 2015 janë regjistruar hiç më pak se 496 OJQ. Nga ky numër, sipas raportit të publikuar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Departamenti për organizata qeveritare, rreth 490 OJQ janë vendore, kurse ndërkombëtarët kanë regjistruar 96 organizata të tilla. Ekspertët e fushës së legjislacionit dhe analistët politikë theksojnë se këto të dhëna, të bëra publike, janë alarm serioz, që flet se OJQ-të dhe financimi i tyre në Kosovë nuk është nën kontroll të duhur institucional, dhe për shumë dyshime të ngritura ka hapësirë veprimi edhe nga Prokuroria e Shtetit.

Organizatat që shpëlajnë trurin

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, i ka thënë gazetës se shikuar për nga analizat e punës së OJQ-ve në vendet e tjera, OJQ-të do të duhej të ishin subjekte të rëndësishme për ta luajtur një rol kontrollues aktiv ndaj pozitës, përkatësisht Qeverisë, si qendrore, ashtu edhe asaj lokale, me qëllim të ndërtimit më të mirë të normave ligjore dhe të funksionimit të shtetit ligjor, por në Kosovë ka devijime të mëdha në këtë fushë veprimi. "OJQ-të në Kosovë janë shndërruar në mekanizma për të degjeneruar mentalitetin e qytetarit, duke sjellë mendime dhe ide të dëmshme për ndërgjegjen dhe moralin tonë. Ato janë mekanizma, që kanë sjellë në vend edhe ide politike dhe ideologjike nga më të ndryshmet. Kemi një konglomerat të nduarnduarshëm të ideve, nga ato të djathta, të qendrës dhe të majta, deri te idetë terroriste, të karakterit fetar dhe natyrisht edhe të një karakteri armiqësor. Kemi OJQ që kryesisht u shërbejnë armiqve të shtetit dhe të së drejtës", tha prof. Kelmendi. Grupi tjetër i OJQ-ve, sipas tij, është ai i qëllimit të pastër të përfitimit material dhe asgjë më shumë. "Kemi grupin tjetër të OJQ-ve për të fituar para, përkatësisht financa, dhe janë shndërruar në mekanizma bankarë të spastrimit të parave. Në OJQ-të e vendit dhe ato ndërkombëtare kemi para nga të tëra anët e botës. Financat vijnë edhe nga Rusia e Serbia, nga vendet arabe, ato të BE-së dhe nga kush jo. Për OJQ-të, pra e rëndësishme është vetëm paraja, pavarësisht punës që kryejnë në kontinuitet", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, institucionet e drejtësisë duhet të alarmohen dhe të merren seriozisht me hetimin e veprimtarisë së të gjitha OJQ-ve vendore e ndërkombëtare, sepse ka disa prej tyre që realisht janë shndërruar në rrezik permanent për shtetin dhe popullin. "Nëpër këto OJQ janë instaluar dy lloj shërbimesh. Në njërën anë, shërbimi kriminal i spastrimit të parasë së pistë dhe, në anën tjetër, janë shërbimet informative të shteteve, të cilat po kryejnë shumë punë kriminale ndaj vendit tonë. Çështjet e tilla duan analiza dhe masa konkrete", theksoi Kelmendi.

Disa OJQ përfitojnë shumë dhe keqpërdorin fonde

Analisti Blerim Burjani thotë se kjo temë dhe dyshimet e ngritura duhet të trajtohen me shumë kujdes, sepse jo krejt OJQ-të janë funksionale në Kosovë, pasi prej rreth 8700 OJQ-ve të regjistruara, një numër jashtëzakonisht i vogël është funksional, për të mos thënë se ky sektor gati është në shuarje e sipër, pasi OJQtë serioze madje mezi janë duke funksionuar në funksion të interesit publik, sepse po trajtohen pa të drejtë sikur të ishin biznese profitabile. Sipas Burjanit, përfituese dhe keqmenaxhuese të fondeve janë kryesisht disa OJQ, që po e dominojnë veprimin e tyre të ngjeshur në Kosovë dhe nuk japin kontributin e përshkruar në veprimtarinë e tyre. "Disa OJQ, që është numër krejtësisht i vogël, përfitojnë shumë dhe mund të numërohen me gishta. Këtu nuk përjashtohet mundësia e keqpërdorimit të OJQ-ve për qëllime tjera të paligjshme, për të cilat Prokuroria mund të rishikoje veprimtarinë e tyre dhe, nëse janë në kundërshtim me ligjin, të merren masa ndaj tyre, po që se ka fakte të mjaftueshme për veprimtari kriminale, por kurrsesi nuk duhet futur me një thes që të gjitha", tha Blerim Burjani.

Politikanët pastrojnë paratë

Analisti politik, Florim Zeqa, ka pohuar se kryesisht shpëlarja e parave të politikanëve në Kosovë po ndodh përmes OJQ-ve, dhe kjo nuk është ndonjë risi, ajo ka një histori të gjatë dhe në forma të ndryshme. "Njëra ndër format më të përshtatshme janë OJQ-të. Numri i madh i organizatave joqeveritare në Kosovën e vogël është treguesi më i mirë i shpëlarjes së parave të përfituara përmes formave të shumta korruptive, ku shumë nga OJQ-të janë organizata fiktive, pa anë- tarësi dhe pa ndonjë veprimtari të evidentuar, të cilat thithin para të majme nga buxheti i shtetit. Përderisa puna e OJQ-ve ndërkombëtare në Kosovë është pak më e vështirë të hulumtohet, lëvizjet financiare të rreth 400 OJQ-ve vendore duhet të jenë prioritet i Prokurorisë së Shtetit për zbardhjen e burimit financiar të tyre. Duhet të hulumtohet në detaje veprimtaria, si dhe aspektet financiare të tyre, nga kush financohen dhe ku i shpenzojnë paratë e tyre", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot". "Përfundimisht, situata e shpëlarjes së parave në Kosovë është alarmante, andaj Prokuroria duhet të veprojë me urgjencë në zbardhjen e "lëvizjeve" financiare nga të gjitha dikasteret qeveritare, monitorimin e vazhdueshëm të OJQ-ve vendore, për aq sa kanë mundësi edhe të atyre ndërkombëtare", tha analisti Florim Zeqa. Alarmant për Prokurorinë e Shtetit, e ka cilësuar deklarimin e Zemajt edhe analisti Adlum Ramadani. "Organizatat joqeveritare në Kosovë vazhdimisht kanë qenë klientelë e rrjeteve të caktuara kriminale, të cilat përmes politikave kanë diktuar interesat e përbashkëta, duke "sponsorizuar" menaxherë, të cilët në vazhdimësi kanë shprehur gatishmërinë për të qenë të inkriminuar, duke ndjekur rrugë më të lehtë për shpëlarje të parave, dhe kjo rrugë ishte dhe është pikërisht organizata joqeveritare. Kjo si mungesë e një auditori, i cili analizon qarkullimet e brendshme dhe të jashtme të OJQve", tha analisti Adlum Ramadani. Sipas tij, nëse analizojmë numrin e përgjithshëm të organizatave joqeveritare, atëherë shohim se si të tilla ekzistojnë mbi 5.000, por që veprimtaria e tyre është thjesht në formularin e aplikimit, ndërsa në realitet ato kryejnë funksion të një makine për shpëlarjen e parave dhe përmbushjes së interesave klienteliste.

Ministria nuk i monitoron organizatat joqeveritare Prokuroria e Shtetit nuk ka kthyer as një përgjigje për rastet e hetimit të deritashëm të veprimtarisë së OJQ-ve të dyshimta dhe financimit të tyre, derisa nga Ministria e administratës publike kanë dhënë përgjigje të pakompletuara. Sipas zyrës për informim në Ministrinë e Administratës Publike, thuhet se OJQtë në Kosovë financohen nga institucionet e Republikës së Kosovës të nivelit qendror, por edhe ato lokale. Po ashtu, shumë OJQ financohen nga donacionet e jashtme, por ato nuk monitorohen nga kjo ministri. " Monitorimi i OJQ-ve nuk është kompetencë e Departamentit për OJQ/MAP, ato i monitorojnë organet kompetente nga fushëveprimtaria e tyre", thuhet në përgjigjen e ministrisë. Përgjigje pa detaje është dhënë edhe tek pyetja për financimin e OJQve dhe transparencës. "Sa i përket transparencës, duhet ta adresoni pyetjen te OJQ-të! Prapa financimit të tyre sigurisht qëndrojnë donatorët, të cilët i ndajnë donacione, por mbajnë përgjegjësi vetë OJQ-të për mënyrën e shfrytëzimit të tyre", thuhet nga Ministria e Administratës Publike, madje duke shtuar se ata nuk kanë informacione fare për keqpërdorimet eventuale.

(Kosova Sot)