Vjet në Kosovë Bruto Produkti Vendor shënoi rritje për 5.0%

  • 26 May 2016 - 13:54
Vjet në Kosovë Bruto Produkti Vendor shënoi rritje për 5.0%

Agjencia e Statistikave te Kosovë (ASK) ka publikuar sot raportin mbi Bruto Produktin Vendor (BPV) për tremujorin e katërt (TM4) 2015, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante.

Sipas këtij raporti, BPV-ja në TM4 të vitit 2015 shënoi rritje reale për 5.0%, në krahasim me TM4 të vitit 2014.

Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike ishte si vijon: ndërtimtaria, 25.6%; hotelet dhe restorantet, 10.3%; aktivitetet financiare dhe të sigurimit, 9%; transporti dhe magazinimi, 8.6%; furnizimi me energji elektrike, ujë dhe trajtim të mbeturinave, 7.6%; tregtia me shumicë dhe pakicë, 6%; dhe të tjerat, me një rritje më të vogël.

Ndërsa, rënie reale kishte në të dhënat e administrimit publik (7.3%).

BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në: formimin e bruto kapitalit me 15.1%; shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jopërfituese në shërbim të ekonomive shtëpiake (IJPSHESH) 4.9%.

Ndërsa, rënie kishte në eksportin e mallrave dhe shërbimeve (8.7%), si dhe në shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (2.1%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Me vlerësimin e tremujorit të katërt, sipas metodologjisë, ASK-ja jep një vlerësim paraprak për vitin 2015, i cili mbështetur në shumën e tremujorëve pati një rritje prej 4%, krahasuar me vitin 2014.

Vlerësimet e tremujorëve të vitit 2015 janë të përkohshme dhe do të rishikohen në bazë të të dhënave vjetore. BPV-ja vjetore, sipas qasjes së prodhimit dhe shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të periudhës së njëjtë të vitit paraprak, do të publikohen në nëntor të vitit 2016.

(Kosova Sot)