Pse Trump kthehet te sulmet e vitit 1990 kundër Clinton-ëve?

  • 26 May 2016 - 18:02
Pse Trump kthehet te sulmet e vitit 1990 kundër Clinton-ëve?

I përdor skandalet politike që ta sulmojë rivalen e tij

Investitori miliarder nga Nju-Jorku as vetë nuk është aspak një melaqe

Qëllimi kryesor i tij është që t’i lidhë ato skandale me disa ngjarje më të freskëta, sikur që është skandali rreth e-mailave privatë të Clinton-it dhe ngjarjes në Bengazi, për ta paraqitur presidencën e saj potenciale si rikthim te ditët e thashethemeve

I nominuari i supozuar i republikanëve për garën presidenciale është duke ua paraqitur amerikanëve skandalet moti të harruara, që kishin ngjarë gjatë mandatit të Bill Clintonit në Shtëpinë e Bardhë, me qëllime shumë më aktuale. Qëllimi kryesor i tij është që t’i lidhë ato skandale me disa ngjarje më të freskëta, sikur që është skandali rreth e-mailave privatë të Clinton-it dhe ngjarjes në Bengazi, për ta paraqitur presidencën e saj potenciale si rikthim te ditët e thashethemeve, aluzioneve dhe gjërave të tjera, të cilat do t’i mërzisnin votuesit, duke i neveritur ata, po ashtu. Ai ka për qëllim që zgjedhjet e sivjetme presidenciale t’i shndërrojë në një referendum rreth Clinton-ëve, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Ja një shembull: një video e re në “Instagram”, e cila paraqet Bill Clintonin me cigare ‘tompuz’ në gojë, ku flitet për veprat e tij të këqija ndaj disa femrave, e cila video mbaron me një të qeshur të Hillary Clintonit, që shoqërohet me sloganin "A t’ia nisim përsëri?"

"Ajo që është duke bërë ai është ekspozimi jo vetëm i Bill Clinton-it për atë që ishte dhe që ka bërë, por e njëjta gjë vlen edhe për Hillaryn", thotë Michael Cohen, këshilltar ligjor i Trump-it.

"Ajo e ka sulmuar Trump-in duke e quajtur seksist, mizogonist dhe ai nuk është aspak i tillë", tha Cohen, duke e portretizuar Hillary Clinton-in si “mundësuese” e të bëmave të burrit të saj.

Paragjykimet e Trump-it rreth grave

Por, këto sulme personale të Trump-it kundër Clintonëve nuk janë krejt pa rrezik. Investitori miliarder nga Nju-Jorku as vetë nuk është aspak një melaqe, ku shpesh janë vënë në pah paragjykimet e tij rreth grave dhe komentet e pahijshme rreth tyre.

 

Megjithatë, nga pikëvështrimi i Trump-it, strategjia e tij ka për qëllim që ta detyrojë Hillary-n që të merret me të bëmat e burrit të saj, në vend se të merrej me diçka tjetër, që ajo do ta preferonte shumë më shumë.

Ajo u përgjigj me një “jo” të shkurtër kur u pyet nga gazetari i CNN-it, Chris Cuomo, se a e ndjenë nevojën që ta mbrojë nderin e burrit të saj pas sulmeve që i janë bërë atij nga Donald Trump.

"E di se ai edhe e pret një gjë të tillë, prandaj nuk do të bie në këtë grackë", tha ajo.  

Kampanja e saj ka preferuar që të përqendrohet te ‘gjynahet’ e vetë Trump-it, si dhe për ta bërë të qartë se amerikanët kanë shqetësime më të rëndësishme sesa këto.

Në anën tjetër,Trump është shumë i qartë.  

"Ata thanë gjëra shumë të këqija rreth meje", deklaroi Trump. “Dhe, e dini, përderisa ata vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë, unë do t’i sulmoj ata në cilindo nivel që të ketë nevojë. Mendoj se e kam dëshmuar këtë”, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Teoritë e konspiracionit

Sulmet e Trump-it na rikthejnë në një kohë të torturave politike, kur Shtëpia e Bardhë e Bill Clintonit dukej se kalonte nga njëri, te skandali tjetër. Sapo çifti i ri nga Arkanzasi ishte futur në Shtëpinë e Bardhë, kishin filluar sulmet rreth mungesës së etikës dhe moralit te ta. Ishte skandali “Whitewater” rreth pronave të patundshme të zonjës së parë në Arkanzas. Pastaj ishte edhe “Travelgate”, rreth pushimit nga puna të zyrtarëve në zyrën e udhëtimeve të Shtëpisë së bardhë; sikur që ishte edhe “Filegate” rreth keqpërdorimit të supozuar të dokumenteve të FBI-së. Po ashtu, Shtëpia e Bardhë e Bill Clintonit ishte tronditur nga vetëvrasja e këshilltarit ligjor, Vince Foster, i cili ishte mik i afërt i Hillary Clintonit, gjë që u bë burim edhe i disa teorive të tjera të konspiracionit. Çdo gjë kulminoi me një hetim të pavarur nga Ken Starr, gjë që ndikoi që Bill Clinton të bëhej presidenti i dytë që iu nënshtrua akuzave (impeach) nga Dhoma e përfaqësuesve, në vitin 1998, për shkak se kishte gënjyer derisa ishte nën betim, në lidhje me një aferë me Monica Lewinskyn, praktikante në Shtëpinë e Bardhë. Ai më pas u shpall i pafajshëm nga një gjykim para Senatit të SHBA-së në shkurt të vitit 1999. Me këtë pushuan edhe akuzat e tjera kundër tyre.

E tëra kjo duket si një e kaluar e largët. Bill Clinton dorëzoi postin në momentin kur gëzonte një mbështetje prej 66%, bazuar në anketa. Ai më pas krijoi një pasuri të tërë duke u marrë me veprime bamirëse, por edhe duke mbajtur fjalime me pagesë. Por, Trump nuk dëshiron që të kaluarën ta lejë aty ku e ka vendin. Ai thotë se, në të gjitha skandalet e burrit të saj, në fakt është e përfshirë edhe Hillary Clinton. Me këto sulme, Trump i pyet votuesit amerikanë, a do të funksiononte presidenca eventuale e Hillary-s. Marrë në përgjithësi, analistët mendojnë se këto sulme do t’i kthehen Bill Clintonit si bumerang, pra në dëm të vetë atij.

(Kosova Sot)