"Kosova e Re" nis të ndërtohet në pranverë 2017

  • 26 May 2016 - 18:12

Në ditën e dytë të Panairit Ndërkombëtar të Ndërtimit, Energjetikës dhe Teknikës “EXPOKOS” në Prishtinë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci vizitoi shtandet e disa kompanive pjesëmarrëse, e veçanërisht ato të sektorit të energjisë.

Në këtë kuadër, Stavileci u ndal te kompania Countour Global me të cilën MZHE ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për TC Kosova e Re, ku bashkëbisedoi me përfaqësues të saj, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Me këtë rast kreu i MZHE-së tha se projekti i TC Kosova e Re ndodhet në fazën e marrëveshjeve komerciale, pas të cilave vjen faza e përgatitjes së pakos tenderuese për ndërtimin e TC ”Kosova e Re”, për të cilën do të ketë një garë të hapur mes liderëve të ndryshëm botërorë të fushën e prodhimit të energjisë elektrike, stabilimenteve dhe ndërtimin e TC-ve.

Sipas tij, ky projekt i cilit pritet të nis në pranverë të vitit të ardhshëm do  t’i sjellë shumë benefite vendit tonë në disa dimensione.

“Përveç dimensionit sektorial në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energjie elektrike, kemi edhe dimensionin social,  meqenëse bëhet fjalë për mijëra vende pune, të cilat do të krijohen dhe dimensioni mjedisor, sepse do të përdoret teknologji e avancuar e cila mbron mjedisin”, tha ai.

Stavileci përsëriti se teknologjia e cila përdoret në këtë projekt është shumë më e avancuar dhe shumë më efiçiente sesa ato që janë përdorur në të kaluarën, dhe se do të jetë më e pastër sesa disa burime të tjera, të cilat mendohet që janë miqësore me mjedisin, respektivisht, me teknologjinë e që do të përdoret do të jenë të të pakrahasueshme.

(Kosova Sot)