U paralajmërua protestë e madhe nga studentët e Gjakovës, dolën vetëm 20

  • 26 May 2016 - 19:09
U paralajmërua protestë e madhe nga studentët e Gjakovës, dolën vetëm 20

Megjithëse studentët e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” paralajmëruan protestë të madhe para rektoratit të universitetit për të kërkuar largimin e sekretares Linda Dula Halilabazi nga ky universitet, si dhe ndikimin politik brenda universitetit, një gjë e tillë nuk ndodhi. Protestës iu përgjigjën vetëm 20 studentë, nga 2 mijë sa ka universiteti.

Studenti dhe organizuesi i kësaj proteste, Ardit Halilaj për mungesën e pjesëmarrjes në këtë protestë u arsyetua duke thënë se helmimi i djeshëm i mbi 40 studentëve është bërë me qëllim për të penguar këtë protestë.

Ai duke mos drejtuar konkretisht akuzat e tij, tha se pushteti është i gatshëm të bëj çmos për të penguar studentët që të kërkojnë të drejtat e tyre.

Por, paralajmëroi protesta me fillimin e vitit të ri shkollor në muajin tetor.

“Pjesëmarrja e studentëve është jo edhe siç e kemi prit, ngase siç edhe jeni njoftuar nëpër media të ndryshme se mbrëmë janë helmuar mbi 40 studentë. Studentët deklarojnë se kjo ka qenë e qëllimshme për protestën e sotshme, andaj mund ta shikoni se çfarë mund të bëj pushteti vetëm për të na ndalur. Por, ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë në mënyrë paqësore të protestojmë. Hapat e mëtutjeshëm që do të marrim ne si Këshill Organizativ, si Parlament i studentëve janë, meqë përfunduan ligjëratat, që nga tetori protestat të jenë më masive”, tha Halilaj.

Pas pak minutash proteste, grupit të studentëve iu bashkua rektori i universitetit, Shaban Buza.

Ai bisedoi me studentët për afro gjysmë ore, por tha se, edhe pse i ka të njohura kërkesat e studentëve, ai nuk mund t’u ndihmojë atyre, pasi nuk është në domenin e tij të përgjegjësisë.

“Kërkesat publike që i kanë bërë – unë i kam marrë ato përpara. Por unë edhe një herë u bëra me dije se me çështjen procedurale nuk përkasin drejtpërdrejt me rektorin, që janë çështje të institucioneve më të larta. E keni pa ju, ka të bëjë me çështje politike, ato janë të njerëzve të tjerë. Unë thashë, në qoftë se organet zyrtare konstatojnë që për çështje të caktuara janë të inkriminuar, unë atëherë reagoj, përndryshe veç brenda kompetencave”, tha rektori Buza.

Mirëpo studentët këmbëngulin që kërkesat e tyre janë kompetencë e rektorit.

E, derisa po ndodhte protesta, Universitetin e Gjakovës e ka vizituar një delegacion i lartë ndërkombëtar që kishte ardhur për të parë kushtet dhe për të bërë vlerësimin për riakreditim të këtij institucioni.

(Kosova Sot)