Gruaja që përjetoi sundimin e gjashtë sulltanëve osmanë

  • 26 May 2016 - 20:10
Gruaja që përjetoi sundimin e gjashtë sulltanëve osmanë

Përpos për inteligjencën dhe bukurinë, Mahpeyker Sulltan njihej edhe për donacionet dhe bamirësinë e saj.

Kösem Sulltan ishte njëra nga femrat më të fuqishme në historinë e Perandorisë Osmane. Ajo u gjet në kaos pas vdekjes së burrit të saj, sulltanit Ahmed I, por arriti që t'i eliminonte kundërshtarët e vet, përkundër asaj se përjetoi një vdekje të hidhur,transmeton gazeta Kosova Sot.

Kösem Sulltan ishte sjellë në pallatin osman si skllave boshnjake, apo nga Morea dhe mori emrin "Mahpeyker", që në persishte dmth fytyrë-hënë. Dhe, ajo kishte një fytyrë të lëmuar, prandaj u quajt edhe Kösem. Në turqishten e vjetër, Kösem quhej delja që udhëhiqte kopenë. Mahpeyker tërhoqi vëmendjen e sulltanit osman Ahmed I për shkak të bukurisë së saj. Ata duheshin shumë me njëri-tjetrin, prandaj edhe u martuan. Mahpeyker lindi 4 djem dhe 3 vajza, gjë që i siguroi asaj vend të veçantë në mesin e grave të tjera të sulltanit. Ajo dhe burri i saj praktikonin sofizmin. Mahpeyker bënte një jetë të qetë dhe paqësore, duke u përkujdesur për fëmijët e vet.

Mahpeyker Sulltan vepronte si regjente

Pas 14 vjetëve martesë, ajo mbeti e ve në moshën 28-vjeçare, duke u gjetur në mes të një kaosi politik. Me qëllim që t'i mbronte të bijtë, ajo ndihmoi kurorëzimin në fron të kunatit të saj, në vend se të njerkut. Si pasojë e kësaj, sistemi trashëgues osman u ndryshua nga ai ku favorizohej i parëlinduri, te regjimi i cili favorizonte më të vjetrin në familje (regjimi seniorat). Pas vdekjes së sulltanëve osmanë Mustafa I dhe Osman II, në fron erdhën të bijtë e Mahpeykerit, Murad dhe ?brahim, njëri pas tjetrit. Meqë Sulltan Murad IV kishte vetëm 12 vjet kur u bë perandor, Mahpeyker Sulltan vepronte si regjente, me titullin "Valide Sultan" (Nëna Sulltan). Ajo ua mësoi të bijve të saj sulltanë politikën.

Kur Murad IV u rrit aq sa ta sundonte vendin, Mahpeyker Sulltan u tërhoq në prapavijë, duke mbrojtur të birin e saj më të vogël, Shahzade ?brahim nga zemërimi i mundshëm i perandorit. Pas kurorëzimit të tij si mbret në vitin 1640, pas vdekjes së vëllait të tij, Sulltan ?brahim ia mori thuajse tërë pushtetin nënës së tij. Por, përkundër kësaj, ajo përpiqej që i biri i saj të kishte djem, në mënyrë që ta mbante të gjallë dinastinë osmane. Ajo duhej dhe respektohej nga të gjithë. Pas një sundimi tetëvjeçar, Sulltan ?brahim u rrëzua nga pushteti dhe u vra. Disa thonë se Mahpeyker Sulltan ishte fajtore për vrasjen e të birit të saj. Ajo ishte në dijeni për qëllimet e atyre që tentonin ta rrë- zonin të birin e saj nga froni. Ajo u pajtua me këtë, me kusht që ata të mos e vrisnin sulltanin. Por, puçistët nuk e mbajtën fjalën. 

Përdori pasurinë e vet për vepra bamirësie

Fronin e mori Sulltan Mehmed IV, i biri 7- vjeçar i Sulltan Ibrahimit. Mahpeyker Sulltan donte që përsëri të bëhej regjente e sulltanit të ri, por këtë nuk e lejoi e ëma e djalit, Terhan Sulltan. Përpos për inteligjencën dhe bukurinë, Mahpeyker Sulltan njihej edhe për donacionet dhe bamirësinë e saj. Njëra ndër veprat e bamirësisë së saj është edhe Xhamia Çinili në Stamboll. Mahpeyker Sulltan po ashtu mbikëqyri edhe ndërtimin e një shkolle, banje dhe një fontane publike. Ajo po ashtu ndërtoi edhe "Büyük Valide Han" (një hotel) në Eminönü, që sikur ishte qendër tregtare e Stambollit, përpos që ndërtoi edhe mesxhide (xhami të vogla) dhe fontana në pjesë të ndryshme të Stambollit. Mahpeyker Sulltan themeloi fondacione për furnizim me ujë të haxhilerëve që shkonin në Mekë dhe Medinë, si dhe organizoi recitime të Kuranit. Gjatë regjenturës së saj, ajo bisedonte me shtetarët nëpërmes një eunuku, prapa një perdeje.

Ajo e përdori pasurinë e vet për vepra bamirësie, duke fituar kështu zemrën e publikut dhe të të varfërve. Ndonjëherë ajo bëhej tebdil dhe dilte për t'i dëgjuar hallet e banorëve të thjeshtë. Ajo kishte paguar borxhet e disa njerëzve, për t'i shpëtuar ata nga burgosja. Po ashtu, ndihmonte vajzat e varfra që ta përgatisnin çejzin dhe të martoheshin. Kujt i digjej, apo i dëmtohej shtëpia në ndonjë mënyrë tjetër, ajo i ndihmonte që ta ndërtonte sërish. Me rastin e vdekjes së saj, banorët e Stambollit qanë sikur për askënd më parë. Poetët filluan të thurnin elegji për "Valide-i ?ehide" (nënën martire). Jeta e Mahpeyker Sulltan, e cila përspjeti sundimin e gjashtë sulltanëve osmanë, ka qenë subjekt i shumë romaneve të trilluara, i shfaqjeve dhe i filmave dhe nuk ka femër tjetër që është më e njohur sesa ajo në historinë turke. 

(Kosova Sot)