Femrat duan të dëgjohen edhe në fshat

  • 27 May 2016 - 11:53
Femrat duan të dëgjohen edhe në fshat

Në Gjilan është në përfundim e sipër procesi i themelimit të këshillave lokalë. Interesimi i qytetarëve për këta këshilla, është i madh dhe kjo shihet nga pjesëmarrja e tyre. Avdyl Aliu, kryetari i Komisionit Komunal për Themelimin e Këshillave Lokalë, thotë se themelimi i këtyre trupave po bëhet përmes një procesi transparent dhe pa asnjë vërejtje nga qytetarët. Sipas tij, numri më i madh i këshillave janë themeluar dhe shumica e fshatrave tashmë e kanë këto strukturë. Këshillat evidentojnë dhe paraqesin prioritetet e lokalitetit të caktuar para organeve të Komunës dhe marrin pjesë në proces, në emër të qytetarëve të atij fshati, lagjeje a vendbanimi,shkruan gazeta Kosova Sot.

Kësisoj, qytetarët e Gjilanit, tash e tutje do ta kenë edhe një mundësi që zërin e tyre ta dërgojnë në Kuvendin Komunal, aty ku merren vendimet e rëndësishme për mirëqenien e tyre, edhe përmes Këshillave lokalë, si formë e re e organizimit. Themelimi i këtyre trupave lokale është bërë në bashkëpunim me organizatën "Agro-eko", ndërsa financohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Këshilli i parë është themeluar në Pogragjë, ku përfshihen edhe fshatrat Bilinicë, Llovcë, Sllubicë, Kokaj, për të vazhduar me Zhegrën, ku bëjnë pjesë edhe fshatrat Demiraj, Haxhaj, Kurexh, Terziaj, Selishtë si dhe me lokalitete të tjera.

Prioritetet duhet t`i përcaktojnë lokalitetet

Këshillat e fshatrave, vendbanimeve apo lagjeve urbane kujdesen për planifikim urban dhe rural, për furnizim me ujë, për rregullimin e kanalizimit, pastaj për ofrimin e shërbimeve publike, për mbrojtjen shëndetësore primare, për mbrojtjen lokale të ambientit, për zhvillimin e turizmit, sikurse edhe për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive, bashkëpunimin me organet komunale dhe organizatat e tjera, për çështjet me interes për lokalitetin. Këshillat evidentojnë dhe paraqesin prioritetet e lokalitetit para organeve të Komunës, marrin pjesë në emër të qytetarëve të lokalitetit, në financimin e çështjeve që janë pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit me Komunën, kujdesen për organizimin e aksioneve vullnetare me interes për lokalitetin si dhe kryejnë detyra të tjera, të cilat mund të jenë të bartura nga Kuvendi i Komunës ose kryetari i Komunës, në pajtim me ligjin dhe Statutin e Komunës.

Këshillat lokalë do të jenë zëri më i drejtpërdrejtë i qytetarëve në vendimmarrjen komunale, ndonëse këtë detyrë e kanë edhe anëtarët e Kuvendit. Ramadan Mehmeti nga fshati Kishnapolë, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ekzistojnë këshillat lokalë, sepse askush më mirë se njerëzit e një lagjeje a fshati nuk i dinë nevojat dhe prioritetet e atij lokaliteti. Këshillat duhet t`u shërbejnë interesave të qytetarëve. "Sikur mos ta kishim këshillin e fshatit, me siguri se nuk do të kishim pasur mundësi të fitojmë grantin e Karitasit të Luksemburgut", ka thënë Mehmeti. Sipas tij, këshilltarët komunalë më shumë mbrojnë interesa personale. Për të përmirësuar funksionimin e këshillave është ndryshuar edhe rregullorja komunale. Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, thotë se ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me përfaqësimin gjinor, duke e ngritur kuotën nga 30 për qind, sa ka qenë deri tani, në 40 për qind. Shadije Rexhepi, nga shoqata "Agroeko", thotë se përmirësimi i përfaqësimit gjinor në këshilla lokalë është kërkuar prej saj.

Përfaqësim në vendimmarrje nuk kanë të gjitha lokalitetet 

Roli i këshillave është i pakontestueshëm, sepse jo të gjitha fshatrat dhe lagjet janë të përfaqësuara në vendimmarrjen komunale. Isa Shefkiu, nga shoqëria civile, thotë se sistemi zgjedhor pamundëson gjithëpërfshirjen në vendimmarrje. Në përbërjen aktuale të Kuvendit Komunal, prej 35 anëtarësh, nuk përfaqësohen 11 bashkësi lokale në fshatra dhe 3 në qytet. Këto të dhëna tregojnë se një e treta e qytetarëve, të cilët banojnë në fshatra, fare nuk janë të përfaqësuar në asamblenë komunale. Sipas OJQ Anamorava, rezulton se qyteti është i përfaqësuar në asamblenë komunale me 28 kuvendarë, ndërsa fshatrat me vetëm 7 të tillë. Bashkësitë lokale të cilat nuk janë të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës së Gjilanit, janë Cërnica, Bresalci, Pogragja, Muqibaba, Kmetoci, Uglari, Llashtica, Lladova, Shurdhani, Livoçi i Poshtëm, Kishnapola, Vërbica e Zhegocit dhe Velekinca. Disa prej tyre janë lokalitete të mëdha. Komuna e Gjilanit, sipas regjistrimit të vitit 2010, ka mbi 90 mijë banorë dhe përbëhet prej 29 bashkësive lokale. Aktualisht, disa lokalitete janë të përfaqësuara me nga 2-3 anëtarë në Kuvendin e Komunës, por ka edhe me dhjetë zëra (Dardania), ose me pesë (Dheu i Bardhë). Lagja "Arbëria" ka 3 këshilltarë komunalë, po aq edhe Zabeli e kështu me radhë. Përfaqësim kanë edhe fshatrat Përlepnicë, Dobërçan, Malishevë, Zhegër, Livoç i Epërm. 

(Kosova Sot)