E plagosura nga djegia e autobusit në Krujë: Shoferi na mori në qafë (Foto)

  • 27 May 2016 - 14:49
E plagosura nga djegia e autobusit në Krujë: Shoferi na mori në qafë (Foto)

Luçiana Mita është një prej të mbijetuarave të ngjarjes tragjike në Krujë, pas shpërthimit në flakë të autobusit në Krujë. Ajo ndodhet në repartin e djegie-plastikës në QSUT. Fotoja e saj nga spitali është publikuar nga një mik i saj. Luçiana ka thënë se “Na mori në qafë shoferi” pasi flakët kanë nisur tek motori para.

“Luciana është më mirë se të gjithë të tjerët, më thotë një doktoreshë. Bobooo! -thashë më vete. Qënka bërë hataja! I putha gishtat shoqes së bankës të fakultetit. Qeshi në sytë me rimelin e tymit nxirë. “Na mori në qafë shoferi!” Flaka nisi tek motori para”, shkruan Kadia.

“DIKUSH THEU XHAMIN E DOLËM NGA DRITARJA”

Ndërsa Atë Kostandin Prifti ka rrëfyer në një lidhje telefonike për News24 se si kanë mundur të shpëtojnë nga autobusi që shpërtheu menjëherë në flakë. Ai ka thënë se dikush theu xhamin me një varre dhe disa dolën nga dritarja dhe disa nga dera.

“Ishim në udhëtim për në Krujë. Autobusi u ndez menjëherë. Shoferi hapi kroskotin por flakët përpinë të gjithë autobusin. Dikush na ndihmoi theu xhamin me një varre. Disa dolën nga dritarja dhe disa nga dera. Ishim 31 veta. Ishim nisur për në Shkodër dhe do shkonim në Ulqin dhe do ktheheshim nesër. Filloi të futej tym brenda, shoferi ndaloi dhe sa ndaloi filloi flaka dhe ne u hodhëm poshtë”, ka treguar Atë Kostandini.

Dy persona humbën jetën sot në ngjarjen tragjike në Krujë ku një autobus shpërtheu në flakë ndërsa ishte në ecje. 10 persona ndodhen në repartin e djegie plastikës në QSUT dhe një pjesë e tyre janë në gjendje të rëndë. Nuk dihen ende shkaqet por mendohet se flaka ka ardhur nga motori.

Image

(Kosova Sot)