Nait Hasani: Ligji për regjistrimin e serbëve dështim i Qeverisë

  • 27 May 2016 - 15:59
Nait Hasani: Ligji për regjistrimin e serbëve dështim i Qeverisë

Deputeti nga PDK-ja Nait Hasani në një prononcim për Gazetën Kosova Sot ka thënë se është kundër ligjit për regjistrimin e serbëve.

"Unë mendoj që Kosova nuk ka nevojë të bëjë asnjë ligj të një forme të tillë. Kosova është shtet dhe ligji është për të gjithë qytetarët e këtij shteti. Ligjet janë dhe duhet të vazhdojnë të bëhen vetëm si të tilla, jo duke bërë ligje të veçanta për komunitete, ndryshe në momentin që bëhet ligj për komunitete do të thotë se ky veprim tregon që shteti i Kosovës më nuk është shtet", tha Hasani.

" Për mua ky jo vetëm që është një ligj i papranueshëm, por edhe forma më ekstreme që Qeveria mund të tregojë në dështimin e vet. Është një ligj shumë i keq, prandaj ne nuk duhet ta bëjmë atë ligj derisa e kemi ligjin adekuat për regjistrimin e popullsisë, ai është në fuqi dhe atë duhet zbatuar edhe në këtë rast, jo që të krijojmë ligje të veçanta për komunitete", tha Nait Hasani për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)