Shteti i kapur e heshti skandalin e grurit të mykur

  • 27 May 2016 - 07:36
Shteti i kapur e heshti skandalin e grurit të mykur

Po kalon më shumë se një vit që nga zbardhja e gjetjeve të faktuara të komisionit parlamentar për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës, për historinë e miellit nga gruri i mykur i importuar gjoja për ushqim kafshësh, që kompania 'Devolli' ua shiti qytetarëve të Kosovës, por akoma as Qeveria dhe Prokuroria nuk ndërmorën ndonjë veprim për të ndëshkuar përgjegjësit e aferës,shkruan gazeta Kosova Sot.

Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen e adresuar gjatë ditës së djeshme për këtë temë, sikur që ka heshtur njësoj edhe Prokuroria e Shtetit, e pyetur nëse ka ndonjë hetim eventual "Ex-officio" lidhur me këtë skandal, për dhjetëra-mijëra tonë të grurit e miellit të shitur qytetarëve dhe të importuar nga hambarët e grurit të prishur për kafshë të Serbisë, të sjellë në Kosovë nga 'DEVOLLI Corporation'. Deputetë opozitarë dhe ekspertë të ligjit së bashku me analistët politikë konsiderojnë se ky mosveprim i institucioneve të larta qeveritare, por edhe i Prokurorisë së Shtetit, pas publikimit të raportit të Komisionit për Bujqësi, është një dëshmi e fuqishme që flet se sa thellë janë të bashkërenduara interesat e politikës qeveritare, madje edhe të drejtësisë, me biznese të fuqishme që jo rrallëherë shkelin edhe ligjet në fuqi, për qëllime të përfitimit marramendës material, qoftë edhe duke rrezikuar shëndetin e popullatës.

Kompani të inkriminuara të lidhura me regjimin

Sipas opozitës, kjo lidhje kriminale e politikës, drejtësisë dhe bizneseve të tilla, mund të shkëputet vetëm me ndryshimin rrënjësor në qeverisjen e vendit. "'Devollët' do të shesin çfarëdo që u shitet dhe nuk do të merren në përgjegjësi derisa të mos bie regjimi që është i lidhur ngushtë me 'Devollët' dhe kompanitë e tjera që fusin në vend mallra me kualitet të dobët ose edhe të atilla që e dëmtojnë shëndetin e qytetarëve", tha deputeti Ismail Kurteshi nga Lëvizja 'Vetëvendosje'. Ai ka pohuar se shpëtimi nga rreziku i helmimit të qytetarëve nga produktet e tilla është bojkotimi i tyre dhe rikthimi i konsumit në produktet vendore...(Më shumë mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)