Gjyshes i rrezikohet jeta për një aparat 800 eurosh

  • 27 May 2016 - 08:16
Gjyshes i rrezikohet jeta për një aparat 800 eurosh

Familja tetë anëtarëshe përballet me mungesë të gjerave më elementare

"Ku t'i gjej, më duhet të luftoj me vdekjen, por nuk kam zgjidhje. Nuk kemi mundësi ta blejmë, përderisa e gjithë familja tetë anëtareshe jetojmë me një ndihmë sociale", tha Naile Halili, duke larguar lotët nga sytë.

Nuk kishte mbushur ende të 60-at, por dukej shumë më e moshuar. Sigurisht se jeta e vështirë në skamje, madje edhe ballafaqimi shpeshherë edhe me urinë, e gjithashtu edhe sëmundja kishin ndikuar që Naile Halili të tregonte shumë më e vjetër. E sëmurë nga një sëmundje e mushkërive, ajo ka pak ditë që kishte dalë nga QKUK-ja. Por, sipas saj, gjendja shëndetësore nuk i është përmirësuar,shkruan gazeta Kosova Sot.

Për më keq, ajo thotë se nuk po arrin të blejë një aparaturë, e cila do t'i ndihmonte në marrjen e oksigjenit sa herë që ajo ballafaqohet me mungesën e frymë- marrjes. Por, për të aparatura e cila thotë se kushton më shumë se 800 euro, do të mbetet vetëm një ndër shumë nevojat e parealizuara të saj në këtë botë. Ndërsa mungesa e kësaj aparature, sipas këshillave të mjekëve, mund te ndikojë në përkeqësimin edhe më shumë të shëndetit të saj."Ku t'i gjej, më duhet të luftoj me vdekjen, por nuk kam zgjidhje. Nuk kemi mundësi ta blejmë,përderisa e gjithë familja tetë anëtarëshe jetojmë me një ndihmë sociale", tha ajo, duke larguar lotët nga sytë. Nuk ka para as për barna Në anën tjetër, nuk ishte ky halli i vetëm i kësaj gruaje, të cilën e gjetëm në shtëpi vetëm, derisa ne ishim në vizitë. Ajo shpjegon më tej se nuk po arrin të blejë as barnat të përshkruara nga mjeku. "Nuk po kemi para as për terapi, ndërsa sëmundja e mushkërive, por edhe sëmundjet e tjera, të cilat ma kanë pushtuar trupin çdo ditë po përparojnë më shumë, në mungesë kurimi", shprehet Naile Halili.

Edhe anëtarët e tjerë të familjes, sipas saj, janë në hall me varfërinë. E pikëlluar, ajo thotë se po i kalon këto ditë, e tani ka edhe një hall më shumë, ballafaqimin me mungesë të gjërave elementare për Muajin e Ramazanit. Sipas saj, nuk ka se çka t'i sjellë familjes për iftar e syfyr. "Nga tani jam duke u mërzitur. Nuk di se si do të agjërojmë. Nuk kemi as më të voglën gjë ushqimore. Nuk di nga t'ia mbajmë. Ditët po afrohen, ndërsa shqetësimet sa po vijnë e shtohen", tha ndër të tjera ajo. Nailja rrëfeu se shtëpia nuk ishte pronë e tyre. Ajo thotë se kanë jetuar para lufte me qira, kurse nga paslufta shpjegon se pronari rom ka ikur nga aty dhe është mbetur nën përkujdesje të familjes, e cila po bënte jetë në kushte tejet të vështira ekonomike, duke qenë e përjashtuar nga shumë gjëra, madje edhe ato elementare.

Familja, e uritur

Nailja ka theksuar se kjo jetë është e vështirë për t'u jetuar në këtë mënyrë, por nuk po kanë zgjidhje tjetër. "Jeta në këto kushte është tejet e rëndë për ne. Kur je nënë edhe gjyshe, është vështirë të përballesh me kërkesat e fëmijëve të vegjël, njëherësh edhe nuk ke se si t'ia shpjegosh se çka është varfëria", u shpreh Nailja, duke shtuar tutje se shpesh mbeten edhe pa miell dhe gjëra më elementare për familjen e saj. "Shpesh na mungon ushqimi dhe nuk kemi as çka të gatuajmë. Mërzitem dhe nuk di çka t'u them fëmijëve, sepse ata nuk kuptojmë se kemi apo nuk kemi para në shtëpi", thotë Nailja. Ndërkohë, derisa ajo shpjegonte për mungesë të gjërave elementare, kushtet e vështira ekonomike, një shtëpi e vjetur me mure të çara në çdo ane ishin pamje që të tronditnin. Mjerimi fliste vetë, derisa kjo grua vuante se si t'u siguronte kushte më të mira për jetë familjes. Ajo pohon se për vete tani nuk e ka hallin më, por janë më të rinjtë, të cilët po ia thyejnë shpirtin çdo ditë e më shumë. Ndërsa shpresat për kushte më të mira thotë se i kanë humbur. Pohon se do t'i mbesë ëndërr e parealizuar ndërtimi i një kulmi të një shtëpie të re. Kjo, sipas saj, do të mbetet vetëm një ëndërr më shumë. Andaj, e shtrënguar nga kjo gjendje, ajo apelon për ndihmë dhe shpjegon se çdo ndihmë në ushqim,veshmbathje është e mirëseardhur në këtë gjendje krize.

(Kosova Sot)