Arrestohen dy persona për ‘trafikim me njerëz’ në Prishtinë

  • 27 May 2016 - 17:32
Arrestohen dy persona për ‘trafikim me njerëz’ në Prishtinë

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, pas hetimeve të zhvilluara dhe bashkëpunimit me qytetarë, me datën 26 maj ka realizuar një operacion policor, nën dyshimin e bazuar se persona të dyshuar po kryenin veprën penale ‘trafikim me njerëz.

Pas realizimit të këtij operacioni policor, Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante ka arrestuar:

 E. A.                lindur me 1983                       f/sh/Shqipërisë,

 A. K.               lindur me 1968                       m/sh/Kosovar.

Ndërsa njoftohet se e dyshuara e arrestuar dyshohet se ka bërë rekrutimin e një viktime të mitur, të cilën e ka detyruar të kërkojë lëmoshë në rajonin e Prishtinës, duke kryer kështu lypësi të detyruar, përmes së cilës dyshohet se nga e njëjta ka përfituar materialisht.

Kurse i dyshuari i arrestuar ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale, duke bërë transportimin e të dyshuarës dhe të viktimës, për të vazhduar veprimtarinë e tyre, ku me këtë rast dyshohet se ka kryer veprën penale ‘trafikim me njerëz’, transmeton Indeksonline.

Gjithashtu gjatë këtij operacioni policor janë shoqëruar në polici edhe 9 persona tjerë, shtetas të Shqipërisë, të cilët pas konsultimit me prokurorin janë dorëzuar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj për procedura të mëtutjeshme.

Ndërsa e dyshuara E. A. me vendim të prokurorit është  ndaluar në mbajtje prej 48 orëve, ndërsa i dyshuari A. K. pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër të gjitha veprave penale dhe njëkohësisht falënderon qytetarët dhe mediat për bashkëpunim të ndërsjellët në këtë drejtim.

(Kosova Sot)