Lëvizja për Bashkim i bashkohet AAK-së në qeverisjen e Obiliqit

  • 27 May 2016 - 18:00
Lëvizja për Bashkim i bashkohet AAK-së në qeverisjen e Obiliqit

Komuna e Obiliqit që udhëhiqet nga AAK-ja ka lidhë marrëveshje për qeverisje me Lëvizjen për Bashkim.

Kryetari i kësaj komune Xhafer Gashi nëpërmjet një postimi në Facebook bëri të ditur lidhjen e marrëveshjes me LB-në.

“Pas bisedave dhe konsultimeve të gjata me subjektin politik, Lëvizja për Bashkim, jemi pajtuar që të bashkëqeverisim në pjesën e mbetur të mandatit të dhënë nga ju. Ky koalicion është bërë mbi bazën e parimeve të mirëqeverisjes dhe ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët e komunës sonë”, thuhet në postimin e Gashit, drejtuar qytetarëve të kësaj komune.

“Për dy vite e gjysmë të qeverisjes sonë, kemi dëshmuar se jemi të vendosur, dimë dhe mund t’ja dalim në drejtim të ndryshimit të qasjes, avancimit të punëve dhe bashkëpunimit me institucionet e nivelit qendror, organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe organizatat jo qeveritare.

Për dy vite e gjysmë të qeverisjes sonë, jemi ndër komunat e pakta, për të mos thënë e vetme, që nuk kemi as edhe një rast të vetëm të korrupsionit”, ka thënë më tej ai.

Gashi ka thënë se punët që janë bërë në këtë komunë janë bërë në bashkëpunim me qytetarët.

“Ka ekzistuar një trekëndësh i bashkëpunimit, komunë, kompani punuese dhe qytetarë, ky trekëndësh, ka pasur dy efekte; në njërën anë ka aktivizuar qytetarët për projektet që janë në realizim, dhe në anën tjetër e ka rritur përgjegjësinë komunale dhe te operatori që punët që zhvillohen të jenë sipas standardeve të kërkuara”, ka thënë ai. “Investimet dhe rritja e cilësisë në arsim, kanë bërë që fëmijët tanë të mos përcaktohen në ndjekjen e mësimit në shkolla private dhe në kryeqytet, por të ndjekin mësimin në shkollat e komunës sonë”, ka shtuar më tej, duke numëruar edhe punë të tjera që sipas tij janë kryer në këtë komunë.

(Kosova Sot)