Byroja vendos: Sali Berisha përjashtohet 10 ditë nga Kuvendi

  • 27 May 2016 - 19:59
Byroja vendos: Sali Berisha përjashtohet 10 ditë nga Kuvendi

Byroja e Kuvendit ka përjashtuar për 10 ditë ish-kryeministrin Sali Berisha nga Kuvendi. Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Byrosë, duke pranuar kërkesën e Partisë Socialiste për të përjashtuar Berishën, pas fjalëve fyese në seancën e kaluar.

Ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ai i cili kërkoi përjashtimin me 10 ditë nga Parlamenti të Sali Berishës, pas akuzave të këtij të fundit në drejtim të kryeministrit Rama.

“Ju ngriheni këtu dhe i thoni kryeministrit të vendit kriminel. Një ish-kryeministër i cili bëri thirrje për dasi mes Veriut dhe Jugut. Zoti drejtues i seancës për të gjitha këto, sipas rregullores së Kuvendit, neni 65, pika 2,  kërkoj mbledhjen urgjente të Byrosë së Kuvendit për të marrë masa përkatëse për ta përjashtuar deputetin Sali Berisha 10 ditë nga seancat e Parlamentit”, tha Ruçi në seancën e kaluar.

Deputeti demokrat Edmond Spaho tha se me këtë mekanizëm aktual të Byrosë vendimi ishte i pritshëm.

“Dihej përfundimi i mbledhjes. Të gjitha çfarë ka thënë Berisha kanë qenë akuza politike. Kuvendi është kthyer për të qeshur dhe qarë. Po të jesh deputet me lidhje me krimin, kontrabandist, trafikant apo zhvatës i fondeve politike konsderohesh i nderuar. Në të kundërt nëse demaskon këta individë përjashtohesh nga Kuvendi me argumentin se është shkelur etika në Kuvend. Nuk Kuvend mund ti thuash kolegut t’i ha veshët, por nëse një individ ngrihet të thotë se kemi individë të tillë përjashtohesh”, tha Spaho.

(Kosova Sot)