Rama në Suedi për rritjen e investimeve të huaja

  • 27 May 2016 - 22:27
Rama në Suedi për rritjen e investimeve të huaja

I ftuar nga kryeministri suedez Stefan Lofven, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Stokholm, ku mori pjesë në dy evente të rëndësishme. Në takimin në Dhomën Suedeze të Biznesit në Stokholm u lançua iniciativa për ngritjen e Këshillit të Investimeve dhe Zhvillimit, një nënstrukturë e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku do të marrë pjesë edhe një grup investitorësh dhe biznesesh suedeze.

Qëllimi i këtij Këshilli do të jetë të asistojë qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për të rritur numrin e investimeve të huaja në vend dhe të lehtësojë e promovojë investimet suedeze në Shqipëri. Këshilli, u shpreh Kryeministri, do të kontribuojë për rritjen ekonomike, modernizimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në Shqipëri dhe tërheqjen e investimeve suedeze. Kryeministri Rama mori pjesë edhe në konferencën “Qeverisje progresiste”, me fokus tek arsimi dhe dija.

Kryeministri foli për zhvillimet e viteve të fundit në Shqipëri në fushën e arsimit, duke nënvizuar se beson fort se vendet nuk dallohen nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë. “Dallimi qëndron tek dija dhe ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të sjellim njohuritë më të mira në institucionet tona dhe nga ana tjetër të transformojmë sistemin tonë arsimor, i cili bazohej në idenë se universiteti ishte për të gjithë dhe që degradoi në idenë universitete gjithandej”, u shpreh kryeministri. Në tre vitet e fundit, përpjekjet e qeverisë, theksoi kryeministri, janë përqendruar në zhvillimin e arsimit profesional, si alternativa e duhur për aftësimin veçanërisht të të rinjve, për t’iu përgjigjur më mirë kushteve të tregut të punës dhe si mundësi punësimi real.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Parlamentit, Urban Ahlin, me të cilin foli për shfrytëzimin sa më të mirë të mundësive që rrisin bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet dhe investimet suedeze në Shqipëri. Me interes të veçantë dypalësh është rritja e bashkëpunimit në fushën e turizmit, një fushë me potenciale të larta zhvillimi në Shqipëri, për të cilën Rama u shpreh se investitorët dhe qytetarët suedezë janë të mirëpritur.​

(Kosova Sot)