Ermira Mehmeti godet Ivanovin: Ai është nxitës i krizës

  • 27 May 2016 - 23:34
Ermira Mehmeti godet Ivanovin: Ai është nxitës i krizës

Deputetja më e zëshme e BDI-së Ermira Mehmeti sot ka goditur ashpër presidentin Ivanov duke thënë se ai është nxitësi kryesor i kësaj krize.

“Ne si parti politike, konsiderojmë se Ivanov është nxitës i drejtpërdrejt i krizës e cila ka shpërthyer në mënyrë eruptive që nga 12 prilli i këtij viti” u shpreh Mehmeti sot në mbledhjen e komisionit për emërim dhe zgjedhje ku duhej të formohet komision i cili do të vendos për impicmentin ose përgjegjësinë e presidentit George Ivanov.

Gjithashtu deputetja Mehmeti thotë se BDI do t’i qëndrojë pas kësaj iniciative, pasi konsideron se Ivanov ka shkelur kushtetutën dhe ligjin.

“Për këtë arsye besojmë se parlamenti si organ legjitim i sovranit, përfaqësues i qytetarëve të Maqedonisë, ka për obligim të debatojë, diskutojë dhe të përcaktoj, gjegjësisht të vendos mbi përgjegjësinë e Ivanovit. Arsyet janë të qarta, besojmë se Ivanov ka shkelur kushtetutën dhe ligjet”, tha Ermira Mehmeti

Në rast se formohet, komisioni duhet që brenda shtatë ditëve ti dorëzoj kryetarit të kuvendit propozimin për ngritje të procedurës për përgjegjësi ndaj presidentit Ivanov, e cila pos që do të diskutohet në seancë, duhet të votohet dhe për të kaluar, nevojiten 82 deputetë.

(Kosova Sot)