Putin: Hakmarrje e Rusisë për mburojën amerikane në Evropë

  • 28 May 2016 - 12:46
Putin: Hakmarrje e Rusisë për mburojën amerikane në Evropë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thotë se Moska nuk ka zgjidhje tjetër pos të hakmerret ndaj mburojës raketore të Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Në komentet e tij të mbrëmshme, gjatë vizitës në Athinë të Greqisë, zoti Putin, po ashtu, ka tërhequr vërejtjen se prania e elementeve të mburojës në Rumani dhe Poloni do të krijojnë situatë që njerëzit atje të jetojnë në rrezik.

Putin, i cili nuk ka specifikuar se si do të hakmerrej Rusia ndaj mbrojtjes raketore, mëtutje ka insistuar se Moska nuk po e ndërmerr hapin e parë, por vetëm po u përgjigjet lëvizjeve të Uashingtonit.

Moska për një kohë të gjatë thotë se krijimi i sistemit mbrojtës raketor të Shteteve të Bashkuara në Evropën Lindore, paraqet rrezik për sigurinë e Rusisë.

Uashingtoni ka përsëritur disa herë se sistemet do t’i mbrojnë anëtarët e NATO-s nga raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi, veçanërisht nga shtetet e papërgjegjshme në Lindjen e Mesme.

Më 13 maj në Poloni kanë filluar punimet për seksionin verior të mburojës raketore mbrojtëse amerikane. Një ditë më herët këto punime kishin filluar edhe në Rumani.

(Kosova Sot)