Kapen 10 kg drogë në Gjakovë, arrestohen dy persona

  • 28 May 2016 - 15:09
Kapen 10 kg drogë në Gjakovë, arrestohen dy persona

Të premten rreth orës 22, policia në qytetin e Gjakovës ka arrestuar dy persona tek të cilët ka gjet një sasi të substancave narkotike për të cilën dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

Siç bënë të ditur për gazetën Kosova Sot Lirije Podrmija, zyrtare për medie në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, një patrullë policore duke patrulluar rrugëve të qytetit të Gjakovës kanë vërejtur disa persona të dyshimtë në një automjet, raporton korrespondenti nga Gjakova i gazetës Kosova Sot.

Në momentin kur policët kanë tentuar të afrohen personat e dyshuar kanë ikur me shpejtësi, ndërsa policët kanë filluar ndjekjen e tyre.

Në ndërkohë patrullës i vijnë në ndihmë edhe njësi tjera policore dhe arrijnë të kapin dhe të arrestojnë dy të dyshuar, ndërsa janë në kërkim edhe të tre të dyshuarve të tjerë.

Gjatë kontrollit, në bagazhin e automjetit ëshët gjetur një thes najloni me 10 paketime që dyshohet të jenë të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Dhjetë paketimet e kapura, secila me peshë nga 1 kilogram janë konfiskuar sikurse që janë konfiskuar edhe tri automjete për të cilat dyshohet se janë shfrytëzuar nga të dyshuarit për trafikim me narkotik.

Në këtë aksion policia ka arrestuar të dyshuarit  D.B. 35 vjeçar, shtetas i Kosovës dhe A.I. 42 vjeçar, shtetas i Shqipërisë.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore dy të dyshuarve u është caktua ndalimi policor për 48 orësh, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësiti DHTN e në bashkëpunim me njësit tjera nga DRP në Gjakovë.

(Kosova Sot)