Smaka: Qeveria nuk po reflekton

  • 28 May 2016 - 15:32
Smaka: Qeveria nuk po reflekton

Profesori i së Drejtës, Riza Smaka, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka alarmuar se numri i lëndëve të pakryera, apo edhe i atyre të zhdukura fizikisht, dhe lëndëve të parashkruara është enorm dhe shumë i lartë, derisa, sipas tij, ky numër nuk mund të shpjegohet dhe arsyetohet me asgjë.

"Sipas gjendjes ekzistuese, KGJK-ja nuk po bën asgjë në funksion të gjetjes së lëndëve të zhdukura apo zhdukësve të tyre, apo të identifikimit të personave që i kanë parashkruar dhe zhdukur qëllimisht ato lëndë, pasi të njëjtët kanë bërë krime duke shkaktuar vepër penale përmes këtij veprimi. Kësisoj deri më sot asgjë prej gjëje nuk ka në këtë drejtim dhe prandaj indiciet janë që korrupsioni është dominant mjerisht në sistemin e gjyqësisë, pasi atje do të duhej ndër të tjera lëndët që janë zhdukur të gjinden ato, dhe po ashtu personat, të cilët kanë kontribuar në parashkrimin apo zhdukjen e tyre, do të identifikoheshin po të ishte vullneti i mirë brenda një jave dhe hiç më tepër, dhe rrjedhimisht personat e tillë do të duhej të jepnin përgjegjësi juridike që aty hyjnë penale, materiale etj".

Më tej, Smaka ka nënvizuar se këtu do të duhej të reflektonte edhe vetë Qeveria e vendit, por, sipas tij, ajo si duket është katalizatore e një gjendjeje të këtillë, pasi, siç ka thënë ai, kjo qeveri ka më shumë ministra se sa Gjermania që ka sot, në vend që të kishte numër më të vogël të tyre dhe në anën tjetër numër më të madh të gjykatësve dhe prokurorëve, që kjo, sipas tij, është edhe nevojë mbase urgjente.

Por në këtë drejtim, Smaka ka thënë se kërkohet edhe rritja e numrit të bashkëpunëtorëve profesionalë në mënyrë që ata t'i përpunojnë lëndët, ndërsa gjykatësit t'i gjykojnë ato.

"Por, kjo Qeveri është indiferente dhe krejtësisht joefikase për të shtyrë proceset përpara, pasi ajo vetë e shkel Kushtetutën dhe mos të flitet më shumë për neglizhencat e kësaj Qeverie", ka theksuar Smaka.

(Kosova Sot)