Cilët janë shqiptarët që ekzekutuan krushkun "për nder"

  • 28 May 2016 - 15:36
Cilët janë shqiptarët që ekzekutuan krushkun

Petrit Nikolli, baba i tre fëmijëve, u vra në Rimini, Itali, pasi nuk pranoi t`i jepte mbesën familjes së burrit të saj.

“RiminiToday” ka publikuar fotografitë e vjehrrit të vajzës dhe dy djemve të tij, që ekzekutuan dajën e mbesës pasi kjo e fundit kishte ikur nga shtëpia e burrit dhe kishte shkuar tek daja duke i treguar edhe për  keqtrajtimin.

Atëherë vjehrri i saj dhe dy djemtë udhëtuan nga Milano  në drejtim të zonës në të cilën banonte daja i nuses dhe kërkuan që ta  takojnë. Janë ulur dhe kanë biseduar. Më pas janë ndarë. Petrit Nikolli, daja i  nuses së autorëve është nisur në këmbë  në drejtim të banesës së tij të cilën e  kishte afër vendit ku është takuar me  krushqit, por njëri nga miqtë e ka qëlluar  nga makina duke e lënë të vdekur  në vend.

Kalimtarë të rastit kanë lajmëruar  policinë dhe ambulancën me  qëllim për t`i dhënë ndihmën e duhur  për ta mbajtur në jetë shqiptarin, por  nuk ia kanë dalë. Në vendin e ngjarjes  kanë mbërritur gruaja shtatzënë dhe  të afërmit e viktimës. Pasi policia ka  mësuar arsyen se përse Petriti kishte dalë nga shtëpia në atë orë të vonë, menjëherë është vënë në lëvizje dhe vënë në pranga tre autorët e krimit  të rëndë.

Autorët e vrasjes më pas janë larguar drejt shtëpisë së tyre në Milano, ku janë arrestuar. Ata kanë rrëfyer për  policinë gjithçka dinin në lidhje me aktin e rëndë.  Më pas është marrë në pyetje edhe mbesa, e cila ka rrëfyer shkakun e largimit nga shtëpia  e bashkëshortit, ndërkohë që Lek Preçi bashkë  me dy djemtë e tij kanë deklaruar në polici se e  kishin vrarë për “nder”.

Ermond Preci, njëri nga tre të arrestuarit për vrasjen e Petrit Nikollit, e justifikoi vrasjen duke thënë, “erdhi dhe më rrëmbeu gruan”.

(Kosova Sot)