Si grabiste banda e 15 shqiptarëve në lagjet e pasura të Athinës?

  • 28 May 2016 - 18:01
Si grabiste banda e 15 shqiptarëve në lagjet e pasura të Athinës?

Zbardhen detaje nga mënyra e funksionimit të bandës shqiptare të grabitjeve me dhunë në Athinë. Sipas mediave greke grupi kriminal kishte nisur të funksiononte që në nisje të vitit 2014 dhe synimi i tyre ishte grabitja e banesave, në shumicën e rasteve duke përdorur dhunë.

Autoritetet greke publikuan së fundi identitetin dhe fotot e 16 shqiptarëve, mes tyre 3 femra dhe një shtetas grek, pjesë e bandës. Të arrestuarit sipas hetimeve kishin role të ndara qartë për cdo rast grabitjeve. Ishin të përcaktuar kush do ishin ata që do ndërhynin për grabitje, kush do bënte roje dhe kush do ruante krahët e atyre që grabisnin.

Gjatë aksionit të policisë atyre iu zbuluan edhe mjetet e ‘punës’ që nga sharrat, dorezat, maskat, e kështu me radhë. Ata e organizonin veprimtarinë e tyre duke identifikuar fillimisht, në zona të ndryshme të Athinës, ato vendbanime që kishte vetëm të moshuar. Pasi i pikasnin ata hynin në to në orët e para të natës, me maska dhe duke u mbuluar që t’i shpëtonin identifikimit.

Sigurisht që kishin para parasysh edhe faktin kur të moshuarit mund të zgjoheshin dhe ti përballnin. Ata i kërcënoni me mjete të mprehta, shpesh i dhunonin fizikisht. Në rastet kur nuk gjenin çfarë donin, i dhunonin mirë, i qëllonin në kokë e trup, në mënyrë që të tregonin se ku i kishin të fshehura paratë.

Në rastet e tjera të vjedhjeve, shqiptarët gjenin zakonisht shtëpitë e izoluara, që nuk kanë sinjal alarmi apo siguri të lartë në dyer e dritare. Pastaj gjatë natës hynin brenda vidhnin para sende me vlerë, por edhe pajisje elektrike, përfshirë soba e frigoriferë,raporton panorama.

Në çdo rast vjedhjeve dy anëtarë të bandës më së paku ishin ruajtësit. Policia sekuestroi; bizhuteri të shumta, enë me vlerë kuzhine, pajisje elektrike, dy armë, pesë thika, një shpatë, sharrat elektrike etj.

(Kosova Sot)