Prizrenasit, krenarë për punimet në metale ''Fisnike'' si filigrani

  • 28 May 2016 - 19:31
Prizrenasit, krenarë për punimet në metale ''Fisnike'' si filigrani

Komuna e Prizrenit nuk po i kushton shumë rëndësi ruajtjes së kësaj begatie kombëtare.

Prizreni shquhet veç tjerash edhe si qytet i zejtarëve. Një prej zejeve që ushtrohet prej shekujve është edhe zeja e filigranit. Bashkim Tejeci është krenar që e vazhdon këtë traditë. Ai shprehet se ka një tendencë nga serbët dhe bullgarët që të të marrin primatin dhe ta paraqesin si traditë të tyre, por, sipas tij, prizrenasit janë mjeshtër të kësaj zeje në Ballkan dhe më gjerë. Pas pushtimit turk më 1455, Prizreni kreu funksionin e qendrës së sanxhakut, ndërsa me organizimin e ri administrativ të Perandorisë Osmane, bëhet qendër vilajeti. Prizreni shpejt u ngrit në një nga qendrat më të mëdha zejtare në Ballkan. Në punëtoritë e shumta të këtij qyteti ushtroheshin më shumë se 120 lloje zejesh, nga më të ndryshmet. Prodhimet e zejtarëve prizrenas jo vetëm se shiteshin në tregjet e mbarë Perandorisë Osmane, por ato depërtonin edhe në vende tjera, madje edhe deri në Indi. Në veçanti është e njohur tradita e përpunimit artizanal të metaleve 'fisnike' - filigrani,shkruan gazeta Kosova Sot.

Prizrenit përsëri mund t'i rikthehet nami i filigranit

Prizreni sërish mund ta fitojë shansin e vet historik në kuadër të një impakti ekonomik e kulturor. Revitalizimi dhe mbrojtja e fondit e trashëgimisë kulturore, si dhe inkurajimi në riaktivizimin e atyre veprimtarive karakteristike ekonomike, do të mundësonin që Prizreni të bëhet partner i denjë në bashkëpunimin kulturor e ekonomik me qytetet e tjera të Ballkanit, Evropës Juglindore dhe më gjerë. Po veçojmë vetëm rastin e "kujungjinjëve", siç janë quajtur kryesisht argjendarët. Dikur për prodhimet e këtyre kishte edhe një Çarshi që quhej "Çarshia e kujungjinjëve".Zejen e punimeve të argjendit dhe filigranit kryesisht e kanë përcjellë argjendarët e besimit katolik.

Duke filluar me Pjetër Kolveshi, i cili pastaj e përcolli deri tek i biri Antoni e më vonë nipat Petrushi, Mateja, Lorenci, Andrrja etj. Kjo traditë do të përcillet deri në ditët tona. Argjendarët në vitin 1947 bashkohen në një kooperativë, e cila fillimisht pati emrin "Union", e pastaj e mori emrin "Filigran" dhe së fundi "Famipa". Kjo fabrikë tubonte të gjithë filigranistët e këtij qyteti, të cilët prodhonin tani modele të kohës si tavolina, argjendi, taketuke, çibukë etj. Prizreni është qytet i kulturave të ndryshme fetare dhe etnike, prandaj në punimet e filigarnistëve të Prizrenit mund të gjesh monumente fetare të shkrira në filigran si Xhamia e Sinan Pashës, kisha etj. Tani turistët mund të gjejnë edhe punime me motive kombëtare ai ato për Shtëpinë e Lidhje së Prizrenit, karroca e Ismail Qemalit, bustin e Isa Boletinit dhe kurora të ndryshme me figurat e historisë. Gjenerata e fundit e filgranistëve të njohur ishin edhe Faruk Shala, Shadi Kryeziu, Lon Bytyqi, kurse krijues të dalluar ishin në filigran edhe Ali Jetishi, Nexhemedin Pasuli dhe Blerim Shishko.

Punojnë gjithçka "që ua sheh syri"

Bashkim Tejeci, duke folur për "Kosova Sot", shpjegon se pas privatizimit u detyruan të riorganizohen. "Kështu lindi ideja që të kërkojmë një mundësi që të vazhdojmë të realizojmë punën e artit të filigranit. Sot punojmë tetë punëtorë, të gjithë mjeshtër të kualifikuar të zejes së filigranit. Qëllimi ishte të ruajmë traditën shekullore të qytetit tonë, i cili njihet për zanate të vjetra, por ekziston rreziku i shuarjes me mospërkrahjen nga ana e institucioneve. Sot, industria është rrezik permanent për të ngulfatur zejen e filigranit. Duhet cekur se teknika e filigranit të Prizrenit ka fshehtësinë e saj dhe dallon nga punimet e filigranit të disa vendeve të rajonit e me gjerë që mundohen secila në mënyrën e saj të përvetësojë këtë traditë me atë se është kulture e tyre kemi rastin e maqedonasve, bullgar- ëve e serbëve, të cilët bëjnë shumë për të përvetësuar dhe për ta shpallur si traditë e tyre kombëtare, gjë që s'është e vërtetë.

Mburrem që jam një ndër mjeshtrit e filigranit të mirëfilltë i dalë nga bankat shkollore të viteve 70-ta", na thotë Tejeci, duke shtuar se nga duart e tyre janë punuar shqiponja për Medlin Olbrajt, vazot për shoqatën 'Hasan Prishtina', pastaj punime u janë ndarë për merita të veçanta Toni Blerit, Bill Klintonit, familjes Jashari, Vesli Klarkut etj. "Tani para disa dite e punuam logon e Bibliotekës Kombëtare, e cila iu dhurua mikut Noel Malkolm", thotë Tejeci, i cili ankohet se Prizreni nuk po i kushton shumë rëndësi ruajtjes së kësaj begatie kombëtare.

(Kosova Sot)