Jeta sekrete në SHBA e tezes së diktatorit Kim Jong

  • 28 May 2016 - 19:48
Jeta sekrete në SHBA e tezes së diktatorit Kim Jong

Gruaja 60-vjeçare me veshje konservative. Është duke pushuar për një fundjavë nga hekurosja e këmishëve e pantallonave në biznesin e pastrimit kimik të cilin e udhëheq së bashku me bashkëshortin e saj. Por ajo nuk është emigrante e zakonshme. Ajo është teze e Kim Jong Un-it, liderit të ri të Koresë Veriore, i cili ka kërcënuar se do ta fshijë nga faqja e dheut NjuJorkun me një bombë hidrogjenike. Për 18 vitet e fundit, që nga koha kur ka ikur nga Koreja e Veriut drejt CIAs, ajo ka jetuar një jetë anonime në SHBA, me bashkëshortin dhe tre fëmijët e tyre."Miqtë këtu më thonë se jam me fat, se kam gjithçka", ka thënë Ko Yong Suk, siç është njohur kur ishte pjesë e familjes mbretërore të Koresë Veriore, për gazetën 'The Washington Post' para pak kohësh. 'Fëmijët e mi kanë shkuar në shkolla të mira dhe janë të suksesshëm, dhe unë e kam bashkëshortin tim, që di të rregullojë gjithçka. Nuk ekziston diçka që e lakmojmë", ka shtuar ajo,transmeton gazeta Kosova Sot.

Ko dhe Ri vendosën që të ikin nga Koreja

Bashkëshorti i saj, më parë i njohur si Ri Gang, ndërhyn duke qeshur: "Mendoj se e kemi realizuar ëndrrën amerikane". Ky është rrëfimi se si një familje ka kaluar prej kreut të Koresë Veriore në klasën e mesme të Amerikës. Duke e ndërprerë heshtjen e tyre në SHBA, Ko dhe Ri kanë kaluar gati 20 orë duke biseduar me dy gazetarë të 'The Washington Post'-it në Nju-Jork dhe më pas në shtëpinë e tyre. Ata kishin tremë nga dalja prej anonimitetit; mbi të gjitha ekzistojnë amerikanë që punë e kanë analizimin e Koresë veriore dhe madje nuk e dinë që ky çift jeton në SHBA. Ata kërkuan nga gazeta që të mos i bëjë të ditur emrat e tyre që i përdorin në SHBA dhe të mos zbulojnë se ku jetojnë, kryesisht për t'i mbrojtur fëmijët e tyre të rritur, të cilët jetojnë jetë normale profesionale. Ko i ngjan shumë motrës së saj, Ko Yong Hui, e cila ka qenë njëra ndër bashkëshortet e Kim Jong Il-it dhe nënë e Kim Jong Un-i, liderit të gjeneratës së tretë të Koresë Veriore. Ajo gjithashtu ka një lidhje të ngushtë me personin i cili tash konsiderohet si njëri ndër armiqtë më të mëdhenj të SHBA-së: ajo është kujdesur për Kim Jong Unin kur ai ka qenë në shkollim në Zvicër. Por në vitin 1998, kur Kim Jon Un ishte 14-vjeçar dhe vëllai i tij, Kim Jon Chol, 17-vjeçar, Ko dhe Ri vendosën që të ikin nga Koreja. Motra e Ko-s, lidhja e tyre me regjimin, ishte e sëmurë me kancer vdekjeprurës të gjirit, edhe pse nuk vdiq deri në vitin 2004, ndërsa djemtë po rriteshin. Çifti si duket e kuptoi se ata më nuk do të jenë të nevojshëm për regjimin dhe ikën, të brengosur për humbjen e statusit të tyre të privilegjuar. 

Ko dhe Ri nuk e kanë parë Kim Jong Un-in për gati 20 vjet

Familja Kim e sundon Korenë Veriore për tashmë 70 vjet, përmes një sistemi represiv të ndërtuar mbi patronazh dhe frikë. Familja mbretërore dhe kuadrot e larta në Partinë e Punëtorëve përfitojnë nga ky sistem, ndërsa do të humbin gjithçka nëse ai përmbyset, ose nëse bëjnë diçka të gabuar ndaj regjimit. Kështu çifti vendosi që të ikë, jo në Korenë Veriore, siç bëjnë shumë njerëz, por në SHBA. Ata kanë punuar shumë orë në ditë në dyqanin e tyre për pastrim kimik të rrobave, ndërsa të tre fëmijët e tyre janë rritur në SHBA, janë shkolluar në universitete të mira dhe kanë vende të mira të punës. Shtëpia familjare është e madhe, me dy kate, ndërsa ata kanë dy vetura, një TV të madh në dhomën e ditës dhe një skarë në pjesën e pasme të shtëpisë. Ata kanë qenë në pushim në Las Vegas, ndërsa para dy viteve shkuan në Korenë Veriore ku Ko është kënaqur duke i vizituar pallatet të cilat i kishte parë në seritë televizive. Ata duken si një familje normale, por nëse shikohet fotografia e djalit të tyre të madh duke skijuar në ujë, vërehet se është bërë në Vonsan, ku familja Kim e ka një shtëpi verore.

Një vajzë në një fotografi tjetër është Kim Yo Jong, motra e vogël e Kim Jon Un-it, e cila e udhëheq divizionin e propagandës në Partinë e Punëtorëve. E shtëpia e tyre? Ajo është blerë pjesërisht nga shuma prej 200 mijë dollarëve të cilën CIA ia dha çiftit pas arritjes së tyre, kanë thënë ata. Edhe pse Ko dhe Ri nuk e kanë parë Kim Jong Un-in për gati 20 vjet dhe nuk duket se kanë pasur pozita zyrtare, inteligjenca amerikane për Korenë Veriore është shumë e paktë saqë ky çift ende paraqet një burim të vlefshëm të informatave. Ata mund të zbulojnë, për shembull, që Kim Jong Un është lindur në vitin 1984, jo në vitin 1982 ose 1983, siç besohet. Arsyeja pse janë të sigurt? Është viti i njëjtë kur ka lindur edhe i biri i tyre i parë. "Ai dhe i biri im ishin shokë që nga vegjëlia. Ua kam ndërruar pelenat të dyve", ka thënë Ko duke qeshur. Nganjëherë, agjentët e shërbimit nacional klandestin të CIA-s vijnë në qytezë për t'u treguar atyre fotografi të koreanëve të veriut dhe i pyesin se kush janë ata njerëz.

(Kosova Sot)