Agjencia e Mashtrimit

  • 28 May 2016 - 07:40
Agjencia e Mashtrimit

Kontestohen shifrat e ASK-së për papunësinë dhe punësimet

Analistët e quajnë gënjeshtër të kulluar raportin e Agjencisë së Statistikave 

Përveç ekspertëve, edhe vetë zyrtarë qeveritarë dalin kundër rezultateve të ASK-së. Hafiz Leka, udhëheqës i Divizionit të Punës dhe Punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale pohon se papunësia te të rinjtë mbetet 73 apo 74 për qind, e jo 55 për qind, siç e ka ASK-ja

Deputetë të opozitës dhe ekspertë të ekonomisë i kanë kontestuar të dhënat e fundit zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, që thonë se papunësia në Kosovë është vetëm në kuotën 32.9 për qind. Bazuar në këto shifra të ASK-së, shkalla e punësimit është në kuotën 25.2 për qind. Nga këto shifra mësohet se papunësia më e theksuar është tek femrat me 36.6 për qind, krahasuar me meshkujt, që janë 31.8 për qind. Këto shifra paraqiten nga Anketa e Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2015. Sipas rezultateve të kësaj ankete del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64-vjeçare. Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, 37.6 për qind janë fuqi aktive. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24-vjeçare, me 57.7 për qind, ndërsa shkalla më e lartë e punësimit është te grupmoshat 35- 44-vjeçare, me 36.2 për qind. Ndërkaq, sipas të dhënave që flasin për papunësinë në vendet e Ballkanit, sipas raportit të BB-së, niveli i papunësisë mes të rinjve mbetet i lartë, mbi 61 për qind.

Mungojnë të dhënat e sakta

Me shifrën e Agjencisë së Statistikave për papunësinë në vend nuk pajtohet as Hafiz Leka, udhëheqës i Divizionit të Punës dhe Punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ai pohoi se në Kosovë ende nuk ka statistika reale rreth papunësisë, për dallim nga ASK-ja ai pohon se papunësia tek të rinjtë mbetet 73 apo 74 për qind , e jo 55 për qind siç e ka ASK. Kjo shifër, sipas tij, del nëse bëhet kombinimi i dy grupmoshave, asaj 15-24 vjet dhe25-39 vjet. Sipas tij, shkalla e papunësisë në Kosovë është 30.8 për qind dhe kjo është mjaftë shqetësuese. "Po them se nëse i marrim këto dy grupmosha i kombinojmë, neve na del shkalla e papunësisë te të rinjtë diku 73-74për qind dhe kjo nuk ka asnjë koment as për politikë bërësit, as për faktorin politik që manipulon ose vepron në Kosovë. Dhe normalisht se kjo duhet të jetë brengosëse. Duhet të jetë sfiduese edhe në politikat e tyre edhe në politikat tona", tha ai... (Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)