Sëmundja e gruas dhe varfëria ia shkatërrojnë jetën Hajdinit

  • 28 May 2016 - 13:38
Sëmundja e gruas dhe varfëria ia shkatërrojnë jetën Hajdinit
Familja 8-anëtarëshe përballet me varfërinë e skajshme

Selimi: Jam ankuar në Komunë dhe tek Avokati i Popullit, por askush nuk më ka bërë zgjidhje

"Ma kanë ndalë pensionin me të vetmen arsye se bashkëshortja kinse më ka bërë më mirë, por gjendja e saj shëndetësore vetëm sa është duke iu përkeqësuar, në mungesë të parave për trajtimi mjekësor", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" Hajdin Selimi

Jo shumë larg qendrës së Prishtinës jeton familja 8-anëtarëshe Selimi. Por, mënyra e të jetuarit të kësaj familje në një shtëpi romi tash e shtatëmbëdhjetë vjet nuk i ngjan një banimi njerëzish. Një shtëpi gati duke u rrezuar për tokë dhe pa kurrfarë kushtesh brendapërbrenda ishte një pamje rrëqethëse, e aq më shumë kur katër fëmijët në këtë familje po përballeshin çdo ditë me gjërat më elementare për jetë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Image

Hajdinit i ka humbur rruga në oborr

I lodhur e i mërzitur nga skamja , nga mungesa e një kulmi mbi kokë, e mbi të gjitha sëmundja e bashkëshortes, kishin bërë që kryefamiljarit në këtë shtëpi, Hajdin Selimi, t'i humbë rruga në oborr, siç thuhet në popull. Ai tashmë të gjitha shpresat i kishte humbur, ndërsa thekson se as vetë nuk do ta kishte besuar se do të përfundonte në këtë gjendje. Selimit i është mërzitur jeta, sidomos për fëmijët që po i duronin për bukë. Mbledhja e kënaçeve nga ana e Hajdinit e mban të gjallë familjen. Për më shumë Hajdin Selimi ishte edhe i dëshpëruar në institucionet e vendit, që sipas tij ia kishin ndalur edhe një pension invalidor, të cilën e kishte gëzuar bashkëshortja e tij e paaftë. Selimi ka njoftuar se për këtë çështje ka kërkuar drejtësi në organet e drejtë- sisë dhe ka alarmuar edhe Avokatin e Popullit. "Ma kanë ndalë pensionin me të vetmen arsye se bashkëshortja kinse më ka bërë më mirë. Ndërsa gjendja e saj shëndetësore vetëm sa është duke iu përkeqësuar në mungesë të parave dhe mungesës së trajtimit mjekësor", u shpreh ai për gazetën "Kosova Sot". Shton se kësaj padrejtësie që i bëhet do t'i shkojë deri në fund.

Image

 

Jetojnë çdo ditë me frikën se shtëpia mund të rrëzohet

Në anën tjetër, Selimi ka bërë të ditur edhe për vjetërsinë e objektit, ndërsa thotë se e ka frikën se sa herë ka të reshura dhe kur ka erëra të forta kjo shtëpi mund të rrëzohet. "Frikësohemi se një ditë mund të mos zgjohemi më. Kjo shtëpi po na rrezikon jetën, ndërsa ne vetë nuk kemi mundësi të bëjmë zgjidhje banimi", është shprehur ndër të tjera ai. E derisa ishte duke na rrëfyer për skamjen nëpër të cilën ai po kalon jetën së bashku edhe me familjen e tij, Selimi foli edhe për vuajtjet e bashkëshortes, duke thënë se ajo përveç sëmundjeve tjera është ballafaquar edhe me sëmundjen e kancerit. Selimi u shpreh se dhoma ku bën gjumin, por edhe të tjerat i ngjanin një vendi skëterrë dhe të pabanueshëm. Por, çfarë të bëjë kjo familje, kjo është Kosova në të cilën ndodhemi. Ky vend nuk të ofron punë, ndonëse mund të jesh i aftë për të punuar. Ai ka bërë të ditur se për gjendjen e vështirë, në të cilën është duke jetuar, e ka njoftuar edhe Komunën e Prishtinës, por nuk ka ndonjë rezultat.

Image

 

Ndërkaq, po aq rrëqethëse ishin edhe fjalët e zonjës në këtë shtëpi, Zyla Selimi, e cila shpjegon për ballafaqimin me sëmundje të ndryshme dhe atë të frymëmarrjes. Ajo thotë se lufta e përditshme me sëmundjen është bërë e padurueshme, kurse mjekimi për të është i pamundshëm, krejt kjo ngase nuk ka mundësi të shkojë as tek mjeku. "Jam në hall me frymëmarrjen dhe me sëmundje të tjera. Pare nuk kam t'i blej barnat. Ato çdo muaj më kushtojnë 40 euro. Por, në mungesë të tyre unë kam ardhur në këtë gjendje të keqe shëndetësore", u shpreh ajo dhe fjalët mezi i dilnin nga goja për shkak të sëmundjeve që e kishin kapluar trupin e saj. Zyla thekson se tashmë nuk po arrin t'i durojë as dhimbjet. "Po si nuk kam dhimbje, por njeri qenka më i fortë se guri. Çka të bëj kur nuk kemi para", është shprehur ndër të tjera ajo. Omeri shtatëvjeçar i dëgjonte të dy gjyshërit e tij gjersa flisnin, ani pse dinte për skamjen që e kishte kapluar këtë familje. Të dy gjyshërit bënë me dije se e kanë më se të vështirë kur nuk kanë se çka t'u japin për të ngrënë fëmijëve. Ndërsa, Omeri thotë se përveç ushqimit do të dëshironte të kishte edhe një shtëpi më të mirë. Ndërkohë, derisa kjo familje po bënte një jetë të tmerrshme, të një varfërie ekstreme, sipas kryefamiljarit Hajdini pasiguria si banor të pikës kufitare me Serbinë në komunën e Podujevës kishte bërë që ai të vijë në Prishtinë për të jetuar, por në kryeqytet gjeti varfërinë. Andaj të gjithë ata të cilët kanë mundësi t'i ndihmojnë kësaj familje më se nevojtare këtë mund ta bëjnë duke thirrur në numrin e telefonit 044 908 166.  

(Kosova Sot)