Të rrethuar nga vdekja

  • 29 May 2016 - 07:37
Të rrethuar nga vdekja

Dy të mbijetuarit e masakrës së Dubravës rrëfejnë historitë e tmerrit

Atli Kryeziu: Na qëllonin me lloj-lloj armësh

"Ishin ato momente kur vdekja, krahasuar me atë që shihnim e përjetonim, krahasuar me jetën në burg, dukej shumë më e mirë", thonë Afrim Caka

Të kthehesh 17 vjet pas e të kujtosh një ndër masakrat më të rënda të kryera në burgje që pas Luftës së Dytë Botërore, për dy nga të mbijetuarit e asaj ngjarje nuk është aspak e lehtë. Ish të burgosurit dhe dëshmitarët e asaj katrahure, që në Dubravë ndodhi para 17 vjetësh, Afrim Caka e Atli Kryeziu, nga Gjakova, rrëfejnë se si kishte ndodhur masakra në Burgun e Dubravës, masakër kjo që pas vetes la të vrarë rreth 260 të burgosur shqiptarë e mbi 300 të tjerë të plagosur. Ata pranuan të rrëfejnë, por vërehej qartë se në momente, edhe pse nga ajo ngjarje kanë kaluar 17 vite, nuk ndiheshin aspak mirë që vërehej në zërin e tyre të mekur. "Diçka po na shtrëngon në gjoks", arsyetoheshin ata.

Skenar i përgatitur në Beograd!

Në atë kohë ka qenë e çuditshme mbajtja e shqiptarëve në burgun e Dubravës e aq më shumë sjellja aty e shumë të burgosurve të tjerë shqiptarë nga burgu i Mitrovicës së Sremit, i Nishit, i Gjilanit, i Pejës, i Prizrenit dhe i Prishtinës. Tërë kjo ishte bërë me urdhër nga kreu i shtetit serb, nga Beogradi, dhe doli se ishte një përgatitje e planifikuar e masakrës që ndodhi në Burgun e Dubravës. "Sa do që kanë kaluar më shumë se 17 vite nga ajo ngjarje e tmerrshme, e cila pati ndodhur nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999, edhe sot kur i kujtoj ato ditë, ato ditë kur ishim të rrethuar nga vdekja, më duket se po më zihet fryma. Nuk ka sesi të jetë ndryshe. Ato 5-6 ditë ferri, mbase më së miri i përmbledh fjala e popullit - "Natës së varrit ia tregofsha" fillon rrëfimin e tij Afrimi, i cili nuk kishte shumë nevojë të thoshte se si po ndihet, pasi ajo vërehej shumë qartë. Në fytyrë dukej i zbehur ndërsa zëri pak sa i shterur. "Jo, jo, nuk kam asgjë, vetëm sa m'u ter pak fyti", thuajse mundohej të na dëshmonte se është i fortë. Dhe, pasi që i pi disa gllënjka ujë vazhdon rrëfimin e vet. "Ka aq shumë fakte se kjo masakër ishte e planifikuar, saqë më nuk ka asnjë dilemë për këtë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet e dhëna që në një burg të stacionohen aq shumë armatim siç kishin bërë serbët në Dubravë. Kjo ishte bërë vetëm për të provokuar sulmet e forcave të NATO-s, në mënyrë që më pastaj të realizojnë skenarin e tyre të errët", flet tash Afrimi... (Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)