Mejtepin e bënë muze

  • 29 May 2016 - 13:21
Mejtepin e bënë muze

Trashëgimia në duart e qytetarëve, shteti askund  

Ruhen objekte me vlerë të trashëgimisë

Selman Shaqir Dërrmaku disa herë kishte grumbulluar mjete materiale për nevojat e fshatit, përfshirë edhe rregullimin e objektit të mejtepit, për të krijuar një hapësirë për ruajtjen edhe ekspozimin e vlerave etnografike. Në këtë objekt, përkatësisht në hapësirat e ish-mejtepit gjenden shumë artefakte etnografike dhe disa ekzemplarë librash, të cilat i kanë sjellë banorët e fshatit dhe më gjerë. Në hyrje të objektit të mejtepit, i cili gjendet pranë xhamisë së fshatit, është vendosur koshi me thupra, i punuar me mjeshtri të rrallë, në formë të bistakut

Në fshatin Karaçevë e Epërme, komuna e Dardanës (Kamenicë) është gjetur një çekan prej guri, që është i ngjashëm me atë të Durrësit. Pronar i tij është Zotrim Kastrati, që ka edhe eksponate të tjera, të cilat i ka grumbulluar vetë dhe është duke i ruajtur në shtëpi. Ismet Tafilti, zyrtar për trashëgimi në Gjilan, thotë se në shtëpinë e Kastratit kishte një numër të caktuar eksponatesh nga lloje të ndryshme, të cilat u përkasin periudhave të ndryshme historike. Në koleksionin e tij ka qerre druri me katër rrotë, drapër të vjetër, kmesë, peshore (kandar i vjetër), kusi e tepsi bakri, sitë, kutull (masë mielli për ujem), gërshërë për qethje të deleve, verigë, një opingë e vjetër prej lëkure të lopës, sharrë dore, tjerrëse-pjesë e vekut, mashë, një pistoletë të vjetër të thjeshtë, hekur, zgjedhë për kafshë, qilim dhe të tjera. Por, atij i ka rënë veçmas në sy çekani prej guri dhe një copë xehe e gjetur në Strezoc. Kastrati ka treguar se çekanin e ka gjetur Beqir Dërmaku, daja i tij, në përroin e Karaçevës së Epërme, ndërsa ai ishte duke u kujdesur për të. Për të mësuar më shumë për këtë eksponat të rrallë, Tafili ka shfletuar edhe libra të arkeologjisë dhe ka gjetur se një çekan i ngjashëm ekziston edhe në Durrës dhe Divjakë. “Çekani është i gjatë 9 cm, i gjerë 5 cm, ndërsa peshon afërsisht 300 gramë. Pra, çekani i Karaçevës në Kosovë, është i ngjashëm me çekanët e Durrësit dhe Divjakës në Shqipëri”, thotë Tafili, shkruan sot gazeta "Koosva Sot".

 

Image

 

Mejtepi bëhet muze

Ai ka vërejtur gjithandej interesim për ruajtjen e vlerave të traditës shqiptare. Në kuadër të projektit për evidentimin e koleksionuesve privatë, zyrtarët e Qendrës Regjionale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan kanë hulumtuar shumë hasur eksponate etnografike dhe arkeologjike të ndryshmet në këtë regjion. Disa nga këta persona kanë krijuar edhe muze të vogla në objekte private dhe publike. Një interesim për ruajtjen e traditës e kanë shfaqur edhe banorët e Shipashnicës së Epërme, duke grumbulluar eksponate të ndryshme dhe duke i vendosur ato në ish-mejtepin e fshatit. Selman Rifat Dërrmaku e Selman Shaqir Dërrmaku kanë rrëfyer për eksponatet e vendosura në këtë objekt. Të dy këta kishin një emër dhe një pasion për vlerat e trashëgimisë. Selman Shaqir Dërrmaku disa herë kishte grumbulluar mjete materiale për nevojat e fshatit, përfshirë edhe rregullimin e objektit të mejtepit, për të krijuar një hapësirë për ruajtjen edhe ekspozimin e vlerave etnografike. Në këtë objekt, përkatësisht në hapësirat e ish-mejtepit gjenden shumë artefakte etnografike dhe disa ekzemplarë librash, të cilat i kanë sjellë banorët e fshatit dhe më gjerë. Ne hyrje të objektit të mejtepit, i cili gjendet pranë xhamisë së fshatit, është vendosur koshi me thupra, i punuar me mjeshtri të rrallë, në formë të bistakut.

Image

 

Koburja, kutulla, kmesa.... 

Aty ka vegla të punës, enë të ndryshme, vegla bujqësore, vegla për endje dhe gjësende të tjera. Ne mesin e shumë eksponateve,  ishte edhe mokra, e cila është rregulluar në atë mënyre, saqë ka mundësi të bluajë drithin edhe sot, me forcën e dorës. Pastaj ka parmenda, kutulla, korubja, mulli kafeje, gaforrkë për tjerrjen e konopit, dybek, sharrë për prerjen e trupave, luga e ujemit, zgjedha, kaca, tpi, tpi me çark, kutlica e mullirit, shkop tupani, katullaqe, nallane, kmesa, pehar për miell, gërryes e lugut të mullirit, turjelë për kavalle, fërtele, zdruktha, kompas druri, sharrë dore, pjekëse e kafesë, verigë, vegla nallbani, aleme, kërhanë për konop, drugëza e vekut, pirajka e të tjera. Këto eksponate janë grumbulluar dhe sjellë në muzeun e vogël të fshatit, nga banorët lokalë e më gjerë, për të cilat kujdeset Selman Shaqir Dërrmaku. Në Gjilan, shumë shpejt pritet të hapet muzeu regjional dhe do të ishte mirë që disa nga këto eksponate t`i dorëzohen këtij institucioni, sepse aty ruhen më mirë dhe mund të shikohen nga vizitorë të ndryshëm, vendorë e të huaj.    

(Kosova Sot)