Për 26 vjet ka përgjuar marrëdhëniet intime të klientëve në motelin e tij

  • 29 May 2016 - 19:47
Për 26 vjet ka përgjuar marrëdhëniet intime të klientëve në motelin e tij

Disa vrima ishin të vendosura në tavanet e dhomave.

Çdo natë -nganjëherë edhe ditën, nëse mendonte që ia vlente - ai ngjitej në çatinë e motelit të tij dhe për orë të tëra shikonte nëpërmjet vrimave të ventilatorëve të rremë, të cilët i kishte vendosur në shumicën e dhomave, raporotn Gazeta Kosova Sot

Në Denver të Kolorados së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mes të disa restoranteve të ushqimit të shpejtë dhe dyqaneve që merreshin me riparimin e automjeteve, gjendej Moteli 'Manor House'. Klientët priteshin nga pronari që, ndonëse dukej i sjellshëm e i shoqërueshëm, kishte një shprehi, për të cilën ata as që e kishin idenë më të vogël. Dhomat ishin mbresëlënëse, përveç disa vrimave, që ishin të vendosura në tavanet e dhomave. Sikur mysafirët e motelit t'i shikonin ato më për së afërmi me shumë gjasë do të tronditeshin, pasi që, me shumë gjasë, do t'i shihnin një palë sy - e nganjëherë, edhe dy palë sy - që shikonin drejt tyre. Personi i cili i ka shikuar çiftet gjatë marrëdhënieve të tyre intime - pronari i motelit Gerald Foos - mund të konsiderohet njeriu më i përkushtuar për soditjen e njerëzve që bëjnë marrëdhënie intime. Tregimi i tij është aq interesant saqë është përmbledhur në një libër që pritet që së shpejti të dalë në shitje, e që më pas do të realizohet në film nga regjisori i lindur në Britani, që e ka fituar çmimin 'Oscar', Sam Mendes, pasi që të drejtat për realizimin e filmit janë blerë nga magnati i industrisë dhe regjisori i famshëm, Steven Spielberg. Rrëfimi i jashtëzakonshëm për përgjuesin, i cili në jetën reale ka qenë një njeri familjar dhe tejet i respektueshëm, me interpretimin e Spielberg-ut, pa dyshim që do të lë mbresa të mëdha tek audienca, që pritet të jetë e shumtë në numër.

"Tundimi im për përgjim do të më shtyjë të bëj gjëra që askush nuk i ka bërë më parë"

Kur Foos, një ish-ekspert i shkatërrimeve nënujore, që kishte qenë pjesë e flotës detare të SHBA-së, e kishte blerë motelin njëkatësh në Denver të Kolorados në vitin 1969, ai kishte shkruar që ia kishte dalë ta 'përmbushte dhe ta realizonte një ëndërr, që vazhdimisht ia kishte okupuar mendjen dhe qenien'. Mirëpo, këtu nuk kemi të bëjmë me një ëndërr për t'u futur në tregtinë e hoteleve. "Më në fund kam qenë në gjendje që ta përmbushja egon time dhe ta plotësoja dëshirën time të pakontrollueshme për t'i përgjuar jetët e njerëzve tjerë. Tundimi im për përgjim do të më shtyjë të bëjë gjëra që askush nuk i ka bërë më parë", kishte shkruar ai më tutje. Ai nuk po e ekzagjeronte. Pra nuk po flitet për një përgjim të shkurtër nga kureshtja se çka është duke bërë fqinji. Nxitja e tij për përgjim ka qenë në nivel industrial.Pasi që e kishte blerë motelin me 21 dhoma, Foos menjëherë e kishte shndërruar në një 'parajsë për plotësimin e dëshirave të tij' dhe i kishte kaluar 26 vjetët tjera duke përgjuar shprehitë seksuale të mysafirëve të tij. Çdo natë - nganjëherë edhe ditën, nëse mendonte që ia vlente - ai ngjitej në çatinë e motelit të tij dhe për orë të tëra shikonte nëpërmjet vrimave të ventilatorëve të rremë, të cilët i kishte vendosur në shumicën e dhomave. Ai nuk ishte kapur asnjëherë dhe ne e dimë tregimin e tij falë faktit që ai nuk ka mundur t'i rezistojë dëshirës për të treguar se çka ka bërë, pasi që mendonte se meritonte lëvdata për 'punën' e tij. Në vitin 1980, ai, me plot mburrje, i kishte shkruar Gay Talese-s, një autori të shquar të shkrimeve për sjelljet ekzotike seksuale, duke i thënë: "Unë kam qenë dëshmitar, kam observuar dhe kam studiuar marrëdhëniet seksuale në mes të çifteve gjatë 15 vjetëve të fundit". Foos i kishte treguar çdo gjë Talese-s, i cili kishte shkruar për këtë gjë në revistën 'New Yorker' dhe ka punuar në librin që do të publikohet së shpejti.

Në gjithë këtë punë kishte qenë e përfshirë edhe bashkëshortja

Talese më pastaj ishte ftuar nga Foos, i cili, që në takimin e parë, i kishte treguar se si prindërit e tij, fermerë gjermanoamerikanë, kishin qenë besimtarë tejet të devotshëm dhe asnjëherë nuk kishin folur për marrëdhëniet seksuale në praninë e fëmijëve. Megjithatë, kjo gjë kishte ndikuar në rritjen e kureshtjes së Foos-it për t'i eksploruar 'të ndaluarat' dhe si rrjedhojë ai kishte filluar ta përgjonte hallën e tij, teksa ajo ishte e zhveshur, në fermën që gjendej afër asaj së familjes së tij. As këtu ai nuk ishte zënë asnjëherë në vepër. Në natën e parë pas takimit, Foos kishte filluar t'i rrëfehej Talese-s, duke i treguar që në gjithë këtë punë kishte qenë e përfshirë edhe bashkëshortja e tij, e cila i kishte ndihmuar në vendosjen e vrimave përgjuese, i dërgonte ushqim gjatë 'orarit të punës' dhe nganjëherë shtrihej pranë tij, për t'i soditur bashkërisht çiftet që bënin dashuri në dhomën poshtë. Gjatë gjithë kësaj kohe ai pretendon të ketë bërë hulumtime sa i përket mënyrës se si njerëzit sillen kur janë në vetmi me partnerin e tyre. Për shembull, në vitin 1973, ai kishte identifikuar 184 orgazma mashkullore dhe 33 femërore nga gjithsej 296 akte seksuale, duke përshkruar edhe pozitat seksuale. Vetëm 3 për qind e çifteve që kishin shkuar në motel nuk kishin bërë marrëdhënie seksuale. Pasi që bashkëshortja e parë e Foos-it kishte vdekur, ai ishte martuar përsëri, me Anita-n, e cila kishte dalë të jetë edhe më entuziaste për 'punën' e bashkëshortit të saj. Çifti shpejt e kishte blerë edhe një tjetër motel. Megjithatë Foos-i i kishte shitur që të dy motelet në vitin 1995, pasi që ishte sëmurë dhe nuk mund ta kryente punën që e kishte bërë dikur. Tani, në moshën 83-vjeçare, jo vetëm që i ka shpëtuar ndjekjes penale pasi që shkeljet janë bërë shumë kohë më parë, mirëpo edhe do të paguhet nga shtëpia botuese, për shkak se i janë përdorur të dhënat. Teksa ka folur për librin dhe për filmin, që do të fillojë të realizohet, Foos ka thënë: "Nuk e di nëse jam i gatshëm për diçka të tillë. Tani jam një shpirt i varfër". Gjithsesi, do të jenë lexuesit - e shumë shpejt edhe shikuesit - ata të cilët do t'i nxjerrin vetë përfundimet e tyre. 

(Kosova Sot)