Kim Jong-un fajësohet për vjedhjen misterioze të bankës në Bangladesh

  • 29 May 2016 - 19:51
Kim Jong-un fajësohet për vjedhjen misterioze të bankës në Bangladesh

Më herët linja e njëjtë ishte përdorur për hakimin e medieve në Korenë Jugore, raporotn Gazeta Kosova Sot

Ekspertët, të cilët po merren me një "vjedhje nëpërmjet hakimit", tejet misterioze, e që kap vlerën e afro 73 milionë eurove, besojnë që Kim Jong-un mund të jetë prapa saj. Hetuesit në firmën 'Symantec' pretendojnë që hakimi, viktimë e të cilit ka qenë një bankë në Bangladesh dhe disa kazino, është kryer nëpërmjet linjave të kodeve, që janë parë vetëm dy herë më herët. Rasti i parë ka qenë një seri e hakimeve të profilit të lartë ndaj kompanisë 'Sony Pictures Entertainment' në dhjetor të vitit 2014, që besohej se ishte bërë nga Koreja Veriore, në shenjë proteste e hakmarrje kundër filmit "The Interview" të Seth Rogen dhe James Franco.

Koreja Veriore specializohet për hakime

Më herët linja e njëjtë ishte përdorur për hakimin e medieve në Korenë Jugore, në vitin 2013. Është bërë e ditur që linjës së kodeve i referohen me 'Backdoor.Contopee'. Hulumtuesit e firmës 'Symantec' kanë shkruar: "'Backdoor.Contopee' më herët është përdorur nga sulmuesit e ndërlidhur me një grup me të gjerë e kërcënues, që njihet si 'Lazarus'. Ky grup ka qenë i ndërlidhur me një sërë sulmesh agresive që prej vitit 2009, duke u përqendruar kryesisht në sulmet ndaj SHBA-së dhe Koresë Jugore. Ky virus ka qenë subjekt i një paralajmërimi të FBI-së, pasi që ai ishte përdorur në një sulm kundër 'Sony Pictures Entertainment'".

Rasti vazhdon të jetë një mister

Eric Chien nga 'Symantec' i ka thënë 'The New York Times': "Nëse besoni që Koreja Veriore ka qëndruar prapa këtyre sulmeve, atëherë edhe sulmet ndaj bankës janë kryer pikërisht nga Koreja Veriore". Autoritetet në Filipine janë larg përmbylljes së rastit të vjedhjes së bankës dhe kazinove, pasi që deri më tani nuk është arrestuar askush dhe shumë zyrtarë të lartë dhe hetues privatë tani po e pranojnë që ky rast vazhdon të jetë një mister. Augustus 'Ace' Esmeralda, hetues privat që është angazhuar në hetimin e kësaj vjedhje, ka thënë: "Ky është një version modern i 'Ocean's 11' - Unë e quaj 'Manila 12'". 

(Kosova Sot)