Tri rrëfime për një fat

  • 29 May 2016 - 20:10
Tri rrëfime për një fat

Bytyqi: Rrëfimet janë njerëzore, jo hiperbolizuese

Ish-ushtari i Njësisë speciale, e cila vepronte brenda forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Bytyqi, në zonën e Nerodimes, ka risjellë në mendjen e të gjithëve ngjarje të trishtuara të luftës, të cilat shpesh na kujtojnë se fati është ai që bën mrekulli, raporotn Gazeta Kosova Sot

Nëse për ndokënd lufta veç ka filluar të harrohet, të paktën nga bisedat e përditshme për dikë që e ka ndier mirë peshën e saj mbi supe, edhe pas 17 vjetësh gjërat e ndodhura thuhen me një mbamëndje të hatashme. Ish-ushtari i Njësisë speciale, e cila vepronte brenda forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Bytyqi, në zonën e Nerodimes, me romanin e titulluar "Karabina e Gjyshit", të botuar para pak muajsh ka risjellë në mendjen e të gjithëve ngjarje të trishtuara të luftës, të cilat shpesh na kujtojnë se fati është ai që bën mrekulli. "E kam ditur se do të shkruaj diçka për ngjarjet e përjetuara në luftë, se vërtet kam qenë dëshmitar i shumë proceseve në luftën që është zhvilluar në pjesën tonë, por s'kam mund t'i them vetes asnjëherë se tani është koha. Krejt papritmas më erdhi një dëshirë e tillë dhe për pak kohë hodha në letër gjithë atë që e mendoja, por e vërteta është se nuk kam dashur t'i jap vetëm karakter historik romanit tim, por edhe përjetim, sepse ashtu ishte edhe koha kur ndodhën ngjarjet", nis rrëfimin autori ferizajas, Gazmend Bytyqi, i cili po mahnitet edhe vetë me mirëpritje që po i libri të tij opinion i gjerë, ndonëse është vepra e parë e tij. Në romanin e tij "Karabina e Gjyshit" hidhen emocione të thella edhe në përgjumje, ndërsa përjetimi, i cili depërton edhe tek lexuesi nuk ka se si të mos jetë i tillë kur buron nga autorësia e dikujt që vetë ka qenë pjesë e këtyre ngjarjeve."Unë nuk kam dashur ta bëj një krijim artistik e letrar, duke përdorur vetën e parë, por kam zgjedhur studentin si personazh për t'i përshkruar të gjitha ato që doja, ndërsa jam ithtar i mospërdorimit të figurave hiperbolizuese, prandaj rrëfimet kanë dalë njerëzore", thotë autori Bytyqi.

Tri situata rikthejnë emocione të veçanta

Përjetimet e ngjarjeve të vërteta që tashmë janë hedhur në letër janë secila më e veçantë se tjetra, por tri pika kulminante e dominojnë dëshirën e atyre që e kanë në dorë librin për të mos e lëshuar atë nga dora kur ndodhen tek këto ngjarje."Unë e kam dhënë maksimumin në përshkrimin e tri situatave që mendoj i kanë dhënë shpirt librit, e para është komunikimi me një komandant të luftës, i cili deri nga gjysma e rrëfimit nuk duket, pastaj rikthimi i shpeshtë i bisedave të personazhit kryesore me babëlokun e tij i cili herët mbjell dashuri për atdheun tek nipi që tashmë është rritur e po lufton dhe pikëllimi që ndiejnë ushtarët pas betejave, ku në një errësirë qajnë e këndojnë pa e parë njëri- tjetrin", veçon pjesë të librit Gazmend Bytyqi, autor romanit, ngjarjet e të cilit thotë të jenë të gjitha të vërteta. Autori e përshkruan edhe plagosjen e tij në njërën nga faqet e librit dhe odisejadën e shpë- timit, duke pohuar se shpirti luftarak mund edhe plagët e trupit.

Image

 

Lufta vetëm në letër

Brenga e mosruajtjes së vlerave të luftës në aspektin material e shpirtëror është prezent edhe nga ky ish-luftëtar ferizajas . Ai thotë së njëri nga motivet që ai ka marrë guximin të krijojë këtë vepër me rrëfim të gjallë ka qenë edhe kjo arsye."Elementet që unë i kam përdorë janë shumë njerëzore, brumë ka pasur mjaft dhe është dashur të ketë më shumë iniciativa për ruajtje e transmetim më të mirë të vlerave të luftës për gjeneratat e reja, por fatkeqësisht nuk është punuar në këtë drejtim", pohon autori i romanit që ka për temë luftën e fundit, e që është ndër të paktat krijime të kësaj natyre në rrafshin lokal. Ashtu si nuk është e lehtë për lexuesin që një luftë të ndodhur jo shumë moti e me situata të rënda kur shikimi vajtues i fëmijëve të vret më shumë sesa armiku në beteja, nuk është e lehtë as për autorin ta theksojë shpesh këtë element. Ai tregon se shpesh dëshmitar i skenave të tilla, ndërsa edhe sot nuk fsheh emocionet, me përlotje kur kujton se mbrojtjen e fëmijëve e grave të pafajshme shpesh e ka pasur të pamundur, ndërsa edhe tash i ka mbetur si një peng në shpirt ky kujtim.

(Kosova Sot)