Dy vjet të dështuara të Kuvendit dhe Qeverisë

  • 30 May 2016 - 07:54
Dy vjet të dështuara të Kuvendit dhe Qeverisë

Bazuar në ecurinë e deritanishme të procesit ligjvënës, planifikimit nga ana e Qeverisë, dërgimit të ligjeve në Kuvend dhe miratimit të tyre në seanca plenare, legjislatura e tanishme do të mbahen në mend si ndër legjislaturat më të dobëta, që ka pasur Kosova, veçmas në periudhën e paspavarësisë. Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës, del se gjatë vitit të kaluar 2015  ka miratuar vetëm 47 projektligje nga gjithsej 138 të parapara, 16 projektligje kanë mbetur në procedurë të bartura për vitin kalendarik në vijim, vitin 2016. Mirëpo, trendi i procesit ligjvënës në këtë vit është duke shkuar me një dinamikë akoma më të ulët sesa ai i vitit të kaluar,shkruan gazeta Kosova Sot.

Për 5 muajt e parë të këtij viti, ligjvënësit kanë miratuar dhe janë shpallur nga zyra e presidentit të Kosovës vetëm 9 ligje. Ndryshe për këtë 5-mujor janë vetëm 19 projektligje të reja të proceduara nga Qeveria në Kuvend, që mbajnë data të periudhës kohore të dërgimit nga ana e Qeverisë në Kuvend, nga 22 janar deri më 13 maj 2016. Edhe këto të dhëna janë të verifikuara sipas pasqyrës zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Qeveria, një lidhje klienteliste interesash

Analistët politikë dhe ekspertët e fushës së legjislacionit konsiderojnë se ky dështim i madh i Qeverisë, por edhe i Kuvendit të Kosovës në planin legjislativ, qoftë të procedimit të ligjeve në Kuvend apo edhe të miratimit të tyre nga ligjvënësit, pavarësisht faktit që numerikisht koalicioni është më i madhi deri më tash, dhe mund të dëshmohej stabil e funksional, gati dy vite që po mbeten mbrapa, po dëshmojnë se koalicioni është vetëm hije numrash, që nuk po bëjnë punën e tyre për interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Magjistri i shkencave politike, Ali Hertica, thekson për gazetën se duke iu referuar situatës nga viti i kaluar, por edhe të dhënave statistikore të publikuara gjatë këtij viti, për aspektin legjislativ mes Qeverisë dhe Kuvendit, shprehet se Qeveria e Kosovës nuk është duke u marrë me shtetin dhe ligjet e shtetit, për të vazhduar drejt forcimit të një shteti ligjor dhe demokratik, por po mbetet një lidhje klienteliste interesash të caktuara, që më shumë po i bëjnë dëm të ardhmes së qytetarit. Këto klientela politike e mashtruan qytetarin gjatë fushatës zgjedhore. “Tani e gjithë kjo neglizhencë e Kuvendit, si dhe Qeverisë aktuale tregon për institucione të dështuara, me një Kuvend jofunksional, pavarësisht numrave të mjaftueshëm që ka si përbërje  koalicioni i “elefantëve”, sikur dinë të mburren partnerët politikë, por që në fakt askush nuk po i jep llogari askujt, për asgjë, madje as për veprime dhe për mosveprime.. Ne po e shohim që shumë deputetë po shkojnë në seanca sa për të hyrë në listën e përfituesve të mëditjeve për pjesëmarrje në seanca plenare, por ata më pastaj mungojnë në kohën, kur diskutohet dhe merren vendimet me vota për miratimin e ligjeve”, është shprehur Hertica. Ai tutje shton se një sjellje e tillë nuk është shembull i funksionimit të shtetit ligjor. “Kjo përbërje e madhe e koalicionit qeverisës do të mbahet në mend si legjislatura më e dështuar dhe më e dobët që ka pasur deri më tani Kosova, duke përfshirë madje edhe periudhën e UNMIK-ut”, thotë Hertica për “Kosova Sot”....(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)