Shumica e buxhetit për paga, mëditje dhe asfalt

  • 30 May 2016 - 12:56
Shumica e buxhetit për paga, mëditje dhe asfalt

Paraja e taksapagueve nuk përdoret për zhvillim

Azemi: Paraja e shtetit po shfrytëzohet për qëllime jozhvillimore

Deputeti Bali Muharremaj thotë se kostoja e ndërtimit të rrugëve tona ka qenë më e larta në rajon dhe në Evropë, ndërsa kualiteti i tyre nuk është si i vendeve perëndimore Ndonëse Kosova është vendi më i varfër në Evropë, shumica e parave të buxhetit të Kosovës është shfrytëzuar për asfaltimin e rrugëve, por jo edhe për një zhvillim ekonomik. Edhe të dhënat e ASK-së flasin se që nga përfundimi i luftës në Kosovë investimet kryesore nga autoritetet kompetente janë fokusuar në ndërtimin e rrugëve publike, nacionale, rajonale dhe auto-udhëve. Ilir Berisha, drejtor i Departamentit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, thotë se sipas të dhënave për fund vitin
2014 del se 94 për qind janë rrugë të asfaltuara, kurse 6 për qind rrugë të paasfaltuara. Sipas buxhetit të 2016-ës, Qeveria ka paraparë 16 milionë euro për ndërtimin e rrugëve të reja këtë dhe këtu nuk hyn vazhdimi i ndërtimit të autostradës dhe zgjerimi i rrugëve magjistrale të nisura
për më shumë se 3 vjet, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Zhvatje e parasë përmes tenderimit

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Bali Muharremaj, thotë se krijimi i infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturave të tjera është shumë i nevojshëm për Kosovën, por ato, edhe pse janë ndërtuar dhe asfaltuar, duhet të mirëmbahen rregullisht nga organet qendrore dhe ato lokale. Ai thotë se kostoja e ndërtimit të rrugëve tona ka qenë më e larta në rajon dhe në Evropë dhe që e keqja të jetë më e madhe kualiteti i tyre nuk është si i vendeve perëndimore. Muharremaj e ka kritikuar Qeverinë "Mustafa" duke thënë se për investimet që po bëhen në asfalt pushtetarëve nuk nevojitet kurrfarë ideje, por vetëm para për të paguar dhe kjo formë e biznesit bëhet për të zhvatur paratë e taksapaguesve përmes tenderimit. Ai thotë se rrugët për fat të keq po e han shumicën e buxhetit të taksapaguesve kosovarë. Eksperti Berat Thaçi thotë se është e vështirë që të dihet se ku po shkon buxheti i shtetit për arsye se ka nivel të ulët të shpjegimit se ku shpenzohet paraja publike." Është e vështirë të informohemi prej institucioneve publike se si po shpenzohet paraja. Zakonisht këto raporte mjaftohen duke treguar që është realizuar një shumë dhe një përqindje e caktuar te pagat apo te mëditjet, mallra dhe shërbimet, mirëpo në këto raporte nuk është që kemi mundësi të gjejmë
diçka më të detajuar, se çka është duke u realizuar", ka thënë Thaçi.

Nuk ka projekte të mjaftueshme për investime

Arian Zeka, kryetar i OEAK-së, tha se me reduktimin e investimeve kapitale është frika më e madhe që nuk do të ketë projekte të mjaftueshme për investime. Se buxheti po shfrytëzohet shumë keq dhe më së shumti për asfalt, paga dhe mëditje, e thotë edhe Visar Azemi, nga KOSID-i. Ai nëpërmjet postës elektronike u shpreh për gazetën se për shkak të mosfunksionalitetit të Qeverisë dhe Parlamentit, si pasojë e krizës institucionale të krijuar pas zgjedhjeve, informacionet për zhvillimet e fundit janë shume të pakta. "Buxheti i Kosovës kryesisht është duke u shfrytëzuar për qëllime jozhvillimore, por për asfalt dhe për të paguar pagat dhe mëditjet e shërbyesve
civilë", është shprehur ai.

(Kosova Sot)