Nesër aktgjykimi për Zahir Bekirin – Çaushin

  • 30 May 2016 - 13:35
Nesër aktgjykimi për Zahir Bekirin – Çaushin

Po përfundon procesi gjyqësor “Fabrika e letërnjoftimeve” në Gjykatën Themelore Shkupi 1. Zahir Bekiri – Çaush në fjalët e tij të fundit të seancës së sotme, e ka akuzuar udhëheqësinë më të lartë të MPB-së se e kanë sajuar këtë aferë.Mbrojtja e Bekirit ka kërkuar lirimin e tij, duke pohuar se kompjuterët që janë gjetur te ai janë vendosur me qëllim.

Prokuroria megjithatë kërkoi nga gjykatësja që i akuzuari të dënohet, ndërkaq në lidhje me informatat për kompjutorët tha se nuk ka mundësi t’i jenë vendosur me qëllim.Aktgjykimi për Bekirin do të shqiptohet nesër në orën 9 e 30, njofton Portalb.

Bekiri, ngarkohet për aferën me letërnjoftimet, dokumentet udhëtuese dhe dokumente tjera të falsifikuara. Prokuroria Themelore Shkup ka ngritur akuzë edhe kundër vëllait të tij I.B.

Bekiri akuzohet për tri vepra penale, gjegjësisht për prodhim dhe posedim të armëve dhe mjeteve për kryerjen e veprave penale, falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të të dhënave personale.

(Kosova Sot)