Gjykatat, institucionet më të korruptuara në Kosovë

  • 30 May 2016 - 16:50
Gjykatat, institucionet më të korruptuara në Kosovë

Rezultatet e anketës së Pulsit Publik XI që përfshijnë periudhën shtator 2015 - mars 2016, tregojnë se korrupsioni mbetet një prej problemeve kryesore me të cilin ballafaqohen kosovarët aktualisht.

Në të vërtetë, një numër i madh i të anketuarve mendojnë që korrupsioni në shkallë të madhe është i përhapur në shumë institucione, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ndër institucionet që perceptohen si më të korruptuarat përfshihen: Gjykatat e Kosovës (42%), Agjencia Kosovare e Privatizimit (39%), ofruesit e shërbimeve shëndetësore (38%), Institucionet/Administrata Qendrore (37%), Doganat (32%) dhe Korporata Energjetike e Kosovës (31%).

Policia e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe bankat perceptohen si institucionet më së paku të korruptuara.

Aktualisht, 14% e kosovarëve (krahasuar me 19% në shtator të vitit 2015) besojnë që korrupsioni në shkallë të madhe është i pranishëm në Policinë e Kosovës.

Përveç kësaj, 16% e kosovarëve (krahasuar me 23% gjatë shtatorit të vitit 2015) mendojnë që institucionet ndërkombëtare janë të ndikuara nga korrupsioni i shkallës së lartë.

(Kosova Sot)