Partitë, korporata të privatizuara nga liderët dhe klanet

  • 30 May 2016 - 07:45
Partitë, korporata të privatizuara nga liderët dhe klanet

Mungesa e vullnetit për reformim, bunkerizimi i klientelave nëpër partitë politike të Kosovës, përreth një rrethi të ngushtë të liderit, po ndikojnë që partitë politike në Kosovë të shndërrohen në korporata të privatizuara nga liderët dhe klanet që i rrethojnë. Partitë politike kufizojnë dhe pamundësojnë shfaqjen e ideve të reja, mbyllin derën për njerëz të aftë e profesionistë të fushave, që i determinon dinamika e zhvillimit të jetës,shkruan gazeta Kosova Sot.

Si pasojë e një bunkerizimi të tillë, sipas njohësve të këtyre zhvillimeve, nuk mund të kemi institucione demokratike, derisa nuk ka as parti të mirëfillta demokratike por krijesa korporative, që nuk u shërbejnë qytetarëve, që nuk i shërbejnë as anëtarësisë së gjerë, por u shërbejnë klaneve klienteliste e kriminale. Analistët politikë thonë se tani është koha që skemat e tilla jodemokratike të thyhen dhe ndryshohen. “Shteti ka nevojë për bërjen e një riformulimi, riformatimi të skenës politike, ngase me këto parti problematike, që janë shndërruar edhe në prona të liderëve, themelues të shumicës së këtyre subjekteve politike, nuk ka perspektivë për shtet funksional demokratik, nuk ka perspektivë për asgjë. Ndonjëherë madje fitohet përshtypja se këto parti ngjasojnë për nga veprimi i tyre me ato kohërat e vjetra të faraonëve, sepse në vend të profesionistëve, krijimit të mundësive për ide të reja e kreative nëpër parti politike, aty sundojnë liderët dhe klientelat e marionetave të tyre, përkthyesit dhe servilët, apo thënë më thjesht shërbëtorët e liderit që me besnikëri i shërbejnë atij dhe rrethit të tij të ngushtë”, u shpreh analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”. 

Burjani: Vetëm me vetëdijesim të qytetarëve ndërrohet kjo klasë e klanizuar

Për pasojë të infiltrimit të strukturave të tilla edhe në institucionet e shtetit, sipas Burjanit, Kosova po dështon në ndërtimin e një shteti të mirëfilltë ligjor me program perspektiv të realizueshëm zhvillimor. “Prandaj, në mungesë të subjekteve të hapura për njerëz të aftë dhe vizionarë të planeve afatgjata zhvillimore të vendit, mbyllja e partive në klientela të ngushta, po bën që në procesin e ndërtimit të shtetit Kosova si demokraci e re akoma e pakonsoliduar, të ballafaqohet me probleme të mëdha të moszbatimit të demokracisë, jo vetëm në parti politike, por edhe në shtet ka anarki dhe sundim nga njerëz, që kanë pasur madje edhe probleme të mëdha në fushën e përgatitjes dhe edukimit, dhe përnjëherë i kanë bërë të gjitha. Tani me rëndësi është vetëdijesimi i qytetarëve për të ardhmen e afërt, sepse vetëm me vetëdijesim për ndëshkim ndërrohet edhe kjo klasë e klanizuar dhe e mbyllur në interesa të ngushta mafioze politike", u shpreh analisti politik Blerim Burjani. Se përmes kapjes dhe privatizimit të partive politike nga brendia e tyre po ndodh më pastaj edhe ngufatja e shtetit dhe kapja kriminale e institucioneve shtetërore e publike, e nxjerr si konstatim edhe analisti Florim Zeqa. "Ajo çka është më e keqja, përmes formave antidemokratike, në kreun e partive politike po instalohen figura të inkriminuara, të përcjella me një rrjet të zgjeruar të grupeve të interesit, të cilat po i forcojnë akoma më tepër interesat klinteliste të barrikaduara prapa liderëve partiakë", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

"Thesar" i antivlerave

Zeqa ka a pohuar se moraliteti, papërgjegjësia, mostransparenca në veprime dhe lufta për pushtet, janë
emërues i përbashkët i të gjitha subjekteve politike në vend, kurse thirrja në emër të vlerave, apo thënë më mirë loja me fjalët e liderëve partiakë, ka bërë që të gjitha partitë politike, pa dallim, në pushtet dhe opozitë, të shndërrohen në "thesar" antivlerash përmes lëvizjeve të ndryshme kontrabandiste të figurave të caktuara politike . "Kontrabanda e figurave politike nga një subjekt tek tjetri, i deputetëve nga një grup në grupin tjetër parlamentar, duke shkaktuar konfuzion tek qytetarët e vendit, të cilët jo vetëm që e kanë të vështirë t'u besojnë fjalëve të liderëve partiakë, më të vështirë e kanë ta bëjnë ndarjen nga vlerat në antivlera, apo siç e thotë populli, të bëjnë ndarjen e 'shapit nga sheqeri'! Lakmia e madhe për pushtet dhe privilegje nga shteti të gjithë politikanëve ua ka verbuar sytë, mjegulluar mendjen dhe infektuar zemrën
nga virusi kancerogjen i bajraktarizmit, dukuri kjo e trashëguar nga pushtimet e gjata dhe barbare turkosllave", u shpreh Zeqa. Ai është ibindur se vetëm një forcë e re politike, me njerëz të rinj, me shpirt të pastër dhe zemër të shëndoshë, mund të bëhet inspirim për dalje të elektoratit në zgjedhje, në të kundërtën, theqafja dhe katandisja politike e vendit do të vazhdojnë deri në pambarim. 

Ramadani: Partia në Kosovë konsiderohet e liderit dhe jo e anëtarëve të saj 

Ndryshe, analisti politik, Adlum Ramadani, pohon se politika kosovare ndër vite është sfiduar me grupe të inkriminuara të interesit, të cilat përmes klientelës dhe "demokracisë militaniste" kanë penguar depërtimin e frymës së re reformiste brenda partisë, sepse ato janë bërë në një formë prona të ngurtësuara të liderit, që është edhe themeluesi i njërit ose subjektit tjetër politik, derisa klientela përreth tij mbetet një grup servilësh, që të gjithë së bashku pengojnë depërtimin e ideve dhe kreacioneve të reja politike. Ramadani thotë se është koha që një skemë e tillë politike të shuhet dhe barrierat e vendosura nga grupe të interesit brenda subjekteve politike të thyhen në të mirë të avancimit të demokracisë dhe shtetndërtimit funksional. "Duhet pasur parasysh se partia në Kosovë konsiderohet e liderit dhe jo e anëtarëve të saj, ku përqendrimi i vendimmarrjes është ekskluzivisht tek lideri, që nënkupton se zhvillimi i garës reale zgjedhore me mundësi të barabarta, për të hapur mundësinë për figura të reja reformuese është thjesht propagandë mediatike, përmes së cilës kinse pasqyrohet demokracia e brendshme partiake, e cila në të vërtetë është e thurur me gjemba dhe cenon çdo element të mundshëm demokratik.

Të gjitha këto prapa perdeve dhe larg nga syri i publikut. Absolutizmi i liderit në parti dhe klientela e tyre kanë ngufatur çdo tendencë për të lejuar garë dinjitoze dhe të mirëfilltë demokratike për riformatizim partiak", u shpreh Adlum Ramadani. Ai ka pohuar se dëshmi më vete për këtë ngushtim të hapësirës demokratike dhe konkurrencës së ideve dhe vizioneve të reja brenda subjekteve politike, më së miri flasin shembujt e zgjedhjeve për kryetarë në disa subjekte politike, por edhe për vetë kreun e shtetit. "Dëshmi për këtë janë zgjedhjet për kryetar partie të subjekteve politike si: lëvizjen 'VETËVENDOSJE', në LDK dhe së fundmi edhe në PDK, duke përfshirë këtu edhe vetë zgjedhjen e presidentit, proces në të cilin u paraqit shpjegimi më i qartë se si subjektet politike në Kosovë, përmes inkriminimit dhe klientelizmit, kanë ngufatur madje edhe vullnetin e deputetëve në procese të vendimmarrjes", u shpreh analisti Adlum Ramadani.

(Kosova Sot)