Studentët-ministrit Bajrami: Largoje Linda Dula Halilabazin

  • 30 May 2016 - 23:31
Studentët-ministrit Bajrami: Largoje Linda Dula Halilabazin

Parlamenti Studentor i Universitetit "Fehmi Agani", në Gjakovë, me një letër publike iu ka drejtuar ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, të cilit iu ka lutur që të marrë masa adekuate konfrom dispozitave ligjore, për largimin e Linda Dula Halilabazi nga Universiteti.

Ata arsyetohen se janë disa studentë që janë kërcënuar, shantazhuar dhe të ofenduar nga Linda Dula Halilabazi.

“Ne s’do të ndalemi duke kërkuar largimin e saj, pavarësisht kërcënimeve, shantazheve e ofendimeve që na bëhen nga anë të ndryshme, jemi të vendosur, të vendosur për mbrojtjen e interesave të studentëve, për mbrojtjen e Universitetit, të vendosur për të mirën e përbashkët të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën publike të Parlamentit Studentor të Gjakovës.

Ja letra e plotë e Parlamentit Studentor

I nderuar Ministër i Arsimit, z. Arsim Bajrami,

Fillimisht, shpresojë të jeni mirë.

Ne studentët e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, jemi të pakënaqur dhe të shqetësuar me situatën e krijuar në Universitet.

Pas inkurajimit tënd, përmes E-mailit, të datës 29/10/2015, ku thatë: “Për çdo shqetësim që keni rreth punës së u.d. Sekretares të Universitetit, apo edhe organeve tjera të Universitetit, ju inkurajoj që t'i adresoni ato në formë të arsyeshme, në formë të shkruar, fillimisht te Rektori, nëse nuk merrni përgjigje te Këshilli Drejtues dhe nëse nuk merrni sërish përgjigje mund të drejtoheni në Ministri tek unë”.

Që nga viti i kaluar, nga zgjedhja e përfaqësuesve të studentëve në Parlamentin Studentor, zgjedhja e Këshillit Drejtues, zgjedhja e Rektorit e deri më tash në zgjedhjen e Sekretares së Universitetit, janë shkelur dispozitat ligjore, Statuti dhe rregulloret e punës të këtij Universiteti.

Ne vazhdimisht si përfaqësues të studentëve jemi munduar t’i parandalojmë këto shkelje në forma të ndryshme, por qe e kotë, duke adresuar në organet gjegjëse të Universitetit, ankesa, kërkesa rreth këtyre çështjeve.

Tash së fundi në krye të administratës së Universitetit është zgjedhur, kërcënuesja, shantazhuesja dhe ofenduesja e studentëve znj. Linda Dula Halilabazi, si Sekretare e rregullt e Universitetit.

Ne disa prej studentëve të kërcënuar, të shantazhuar dhe të ofenduar nga ish U.d Sekretarja znj. Linda Dula Halilabazi kemi adresuar ankesa dhe kërkesa për largimin e saj nga Universiteti, në ditën kur ajo u zgjodh sekretare e rregullt e Universitetit ne dorëzuam peticion me 466 nënshkrime të studentëve të këtij Universiteti për largimin e znj. Linda Dula Halilabazi, me arsyetimin se kjo e fundit ka shkelur dispozitat ligjore, duke ushtruar detyrën e saj jashtëligjshëm për më tepër se 1 (një) vit, me arsyetimin se na ka kërcënuar me largim nga Universiteti, neve përfaqësuesëve të studentëve në Parlamentin Studentor.

Ky peticion, nuk është marrë parasysh dhe s’është futur në rend dite nga Këshilli Drejtues në mbledhjen e mbajtur në ditën kur u zgjedh znj. Linda Dula Halilabazi.

Ne kemi ngritur një kallëzim penal ndaj znj.Linda Dula Halilabazi, ku Prokuroria në Gjakovë i dha urdhër Policisë të nis hetimet rreth këtyre çështjeve, përderisa ne në këtë kohë po merreshim në pyetje nga hetuesia, znj. Linda Dula Halilabazi u zgjodh Sekretare.

Ne s’do ta lejojmë që znj.Linda Dula Halilabazi të jetë në krye të administratës së Universitetit, bazuar në rrethanat e fundit, derisa kërcënimet ndaj studentëve nuk janë zgjidhje, për parandalim të ngritjes së zërit ndaj saj. Me këto veprime i ka dhënë imazh jo të mirë Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, një njeri i arsimuar dhe me kulturë nuk i bën këto gjëra.

Duke ju inkurajuar juve si i pari i Arsimit në Kosovë, dhe respektit ndaj jush si personalitet shembull për të mirën e vendit, ne iu bëjmë lutje të merrni masat adekuate konfrom dispozitave ligjore, për largimin e znj. Linda Dula Halilabazi nga Universiteti.

Ne s’do të ndalemi duke kërkuar largimin e saj, pavarësisht kërcënimeve, shantazheve e ofendimeve që na bëhen nga anë të ndryshme, jemi të vendosur, të vendosur për mbrojtjen e interesave të studentëve, për mbrojtjen e Universitetit, të vendosur për të mirën e përbashkët të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ne përfaqësuesit e studentëve në Parlamentin Studentor të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, të falënderojmë që gjetët kohën ta lexoni letrën tonë.

Me shpresë që shqetësimet tona dhe zëri i jonë të dëgjohet dhe ndjehet nga ju.

Me shpresë që ju si i pari i Arsimit në Republikën e Kosovës, të dëshmoni punën që bëni ndaj institucioneve, gjithmonë duke u bazuar në dispozitat ligjore, pasi që Këshilli Drejtues dhe Rektori nuk u morën me shqetësimet tona, e pamë të arsyeshme të u drejtohemi juve.

(Kosova Sot)