Drejtësia kosovare, sipas shijeve të politikës së inkriminuar

  • 31 May 2016 - 07:43
Drejtësia kosovare, sipas shijeve të politikës së inkriminuar

Kosovës dhe qytetarëve të saj do t’u nevojitet edhe një kohë e gjatë përderisa drejtësia të shkapet nga politika dhe ndikimi i garniturave të pushtetit. Në Kosovën e pasluftës, në veçanti në dekadën e fundit, por duke përfshirë qeverinë aktuale ‘Mustafa’, ndikimi i politikës në fushën e sistemit të drejtësisë çdo ditë shihet sheshazi dhe është i prekshëm,shkruan gazeta Kosova Sot.

Këto vlerësime i kanë dhënë edhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë thënë se tani është koha e fundit që të ndalet kjo që po ndodh në Kosovë, pasi sipas tyre vendimet gjyqësore duhet të jenë juridike dhe jo politike. Në këtë drejtim shtrohet edhe pyetja se a mund të ketë drejtësi për qytetarët derisa ky sistem është i kapur dhe nën ndikimin e politikës dhe cilat janë alternativat për ta shkapur drejtësinë nga politika? Njohësi i fushës së politikës dhe legjislacionit, Ilir Fetahu, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se ka prova se në Kosovë drejtësia kosovare fatkeqësisht shpeshherë funksionon edhe nga ndikimet politike, duke filluar, siç ka thënë ai, që nga gjykatat më të ulëta themelore e deri tek ajo më e larta, Gjykata Kushtetuese. Këtu Fetahu e ka përmendur edhe vendimin e fundit të kësaj gjykate prapë antikushtetues për manastirin e Deçanit.“Në Kosovë duhet të funksionojnë të gjitha hallkat e drejtësisë, në mënyrë që edhe gjykatat të pastrohen nga ndikimi politik”, potencoi ai.

Nivelet e larta politike ndikojnë në gjykata

Fetahu mendon se jo vetëm Kosova, por edhe shtetet e tjera në tranzicion përballen me këso situatash dhe se janë në ndikim të vendimeve politike edhe nëpër gjykata.“Por, është afati i fundit të ndalet kjo që po ndodh në Kosovë dhe se vendimet gjyqësore duhet të jenë juridike dhe jopolitike”, është shprehur ai. Avokati Tomë Gashi tha për gazetën “Kosova Sot” se nuk mund të ketë ndryshime juridike pa pasur ndryshime politike. Kjo ngase siç ka thënë Gashi gjykatat dhe prokuroritë janë direkt të ndikuara nga politika, por edhe nga politikanët e niveleve të larta.“Pra, në këtë aspekt, pa ndryshime politike është e pamundshme nëse flitet në realitet që të bëhen edhe ndryshime në sistemin juridik të vendit”, ka deklaruar Gashi. Profesori i së drejtës, Riza Smaka, ka nënvizuar se në të gjitha sferat e institucioneve publike është implikuar politika ditore e degjeneruar dhe e korruptuar, duke e mbërthyer kësisoj në kthetrat e veta tërë aparatin shtetëror, e në radhë të parë sistemin e drejtësisë, ku siç ka thënë ai “aty shumica e gjykatësve dhe prokurorëve publikë janë të preferuarit e partive politike të pushtetarëve dhe ata veprojnë sipas interesave të partive politike të qeveritarëve dhe jo konform me ligjin, e këtu qëndron edhe problemi më i madh”.

Drejtësia e zvarritur dhe rastet e pakryera

Smaka në këtë drejtim ka ngritur pyetjen se si mund të shpjegohet se sipas tij afër 500 mijë lëndë janë të pakryera dhe mbase qëllimisht ato nuk janë kryer, më pastaj, siç ka thënë ai, me mijëra lëndë janë të zhdukura, por edhe një numër i madh i lëndëve janë të parashkruara, derisa Smaka ka theksuar se nëse do të ndodhte që vetëm një lëndë të parashkruhej në shtetin e së drejtës, atëherë do të konstatohej brenda një periudhe të shkurtër kohore se pse, si, apo kush e ka parashkruar atë dhe si rrjedhojë do të procedohej ndaj atij që e ka shkaktuar parashkrimin. Ndërsa, zhdukja fizike e një lënde do të bëhej skandal shtetëror numër , derisa tek ne zhduken lëndët gjyqësore dhe absolutisht nuk përgjigjet askush, por më pastaj kanë ndodhur edhe shumë skandale të tjera, siç është ai në dhomën e sigurisë së lartë dhe po ashtu për të cilin nuk është përgjigjur askush”. Kësisoj në këtë drejtim Smaka ka nënvizuar se pa u bërë një reformë radikale e sistemit gjyqësor, të cilën do ta niste Këshilli gjyqësor, duke filluar nga kriteret për zgjedhje dhe emërime, sipas tij, nuk mund të pritet kurrfarë ndryshimi për të mirë...(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)