Krimi ekonomik lulëzon, policia mrizon

  • 31 May 2016 - 07:47
Krimi ekonomik lulëzon, policia mrizon

Asnjëra nga qeveritë e pasluftës, përfshirë Qeverinë e tashme ‘Mustafa’, nuk kanë bërë sa duhet për luftimin e dukurive negative, duke filluar që nga konkurrenca jo e barabartë në treg, pastaj  evazioni fiskal si edhe kontrabanda. Analistët e ekonomisë dhe deputetët e opozitës e kanë vënë në llupën e kritikave Policinë e krimeve ekonomike, duke e akuzuar se nuk po lufton sa duhet kriminalitetin e këtij lloji,shkruan gazeta Kosova Sot.

Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Policisë së krimeve ekonomike se çfarë kanë bërë ata në luftimin e të këqijave të këtij vendi, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë asnjë përgjigje gjatë ditës së hënë. Deputeti Enver Hoti (Nisma për Kosovën) tha se ndikimi i politikës edhe në këtë fushë të sundimit të ligjit edhe të drejtësisë, duke i instaluar njerëzit e partive, e ka bërë të dështuar luftën kundër krimeve ekonomike. “Nuk duhet që të çuditemi fare dhe se nuk po duken asgjëkund lufta e pushtetarëve tanë duke filluar që nga konkurrenca jo e barabartë, evazioni fiskal e kontrabanda. Kjo sepse rezultatet e deritanishme të kësaj policie në luftimin e këtyre dukurive të këqija janë gati zero”, theksoi ai. Faktin se mbrapa oligarkëve të bizneseve që kanë krijuar monopole në Kosovë qëndrojnë të fortët e politikës në pushtet e pohon sot pothuajse secili njohës i zhvillimeve politike dhe ekonomike.  

Shembulli “Devolli”, skandali më i madh

Askush nuk e mohon faktin se Perandoria "Devolli" u shpërblye me dhënien për vetëm 7 milionë euro të Fabrikës së Amortizatorëve, kur ajo vlerën minimale e kishte 100 milionë euro. Ka zëra, sipas të cilëve hisen më të madhe në Perandorinë "Devolli" e ka kryesisht Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës. Jorastësisht në zgjedhjet e fundit në këtë parti u përforcua krahu i Pejës, edhe pse PDK-së vota nuk i bie as sa për tërheqje të vëmendjes, por i sjellin shumë thasë me para. Sipas deputetit të Lëvizjes 'Vetëvendosje!', Ismail Kurteshi, del se nuk është aspak sekrete lidhja e partive në pushtet, PDK dhe LDK, me Devollët. "Se pas këtyre qendrave qëndrojnë politika, pushtetarët, nuk ka asnjë dyshim. 'Devolli', që po i shet popullit krunde në vend të miellit, ose po paguan doganë për krunde e po importon miell dhe po shpëton pa një ferrë në këmbë, pa përkrahje të pushtetarëve, një gjë e tillë nuk do ta kishte të mundur. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin se skandalet e kësaj kompanie dhe shumë kompanive të tjera po vazhdojnë edhe nën regjimin e ri të Isa Mustafës, pa përjetuar as një pasojë, është dëshmi e fortë se koalicioni komplet është i involvuar në këto punë të pista dhe nga një qeveri e tillë dhe njësia e saj e krimeve ekonomike nuk mund të priten masa konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", thotë deputeti Kurteshi...(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)