KMDLNJ reagon ndaj linçimeve publike të njerëzve që arrestohen

  • 31 May 2016 - 11:25
KMDLNJ reagon ndaj linçimeve publike të njerëzve që arrestohen

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me rastet e arrestimeve të njerëzve në Kosovë.

Sipas KMDLNJ-së në Kosovë njerëzit linçohen publikisht pa u dënuar dhe pa u përfunduar procesi gjyqësor.

“Në Kosovë ku për rastet e ndjeshmërisë së lartë përgjegjësinë e kanë prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë, më parë të UNMIK–ut, tani të EULEX-it, zakonisht kur trajtohen këto raste, arrestimit i paraprinë një fushatë mediale që e parapërgatit terrenin për arrestime të bujshme, me pompozitet dhe spektakël medial e që në të shumtën e rasteve përfundojnë me vendime liruese për të akuzuarit të cilëve ua shkatërrojnë karrierën, ua shkatërrojnë reputacionin dhe ua shkatërrojnë familjet përmes linçimit publik. Ka shumë raste të tilla në Kosovë dhe i vetmi kompensim që u është bërë llogaritja e ditëve në arrest me çmimin sa i kushton një i burgosur Buxhetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNJ-së, arrestimet e fundit e të dyshuarve për vepra të rënda penale në krye me Azem Sylën, ish komandantin e UÇK–së paraqet shkeljen e të gjitha neneve të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës, shkaku se të arrestuarit janë portretizuar si kriminelë të rrezikshëm, pa përfunduar hetimet.

“’Grupi i rrezikshëm kriminal, kriminelët që kanë bashkëpunuar me Serbinë, komandantë të Çagllavicës, Graçanicës ,etj ; ata që e rrezikojnë jetën e dëshmitarëve të mbrojtur , etj ….’ këto janë cilësime që drejtpërdrejtë ndikojnë në procesin e hetimeve, bëjnë presion te hetuesit duke paragjykuar fajësinë e të arrestuarve ende pa përfunduar hetimet dhe pa një vendim të një gjykate. Prokuroria e EULEX–it kërkon katër muaj paraburgim sikur edhe një proces të veçantë hetimor ndaj Azem Sylës shkaku se po u rrezikuakan dëshmitarët e mbrojtur. Këto janë sinjale të qarta se vështirë se do të ketë një proces të rregullt , të paanshëm , të pandikuar politikisht dhe të drejtë një atmosferë të linçimit publik të arrestuarve që tashmë duket se janë shpallur fajtorë”, thuhet më tej në reagim.

KMDLNJ tërheq vërejtjen se të gjithë personat e privuar nga liria, përkundër kufizimeve të disa të drejtave i kanë të garantuara të drejtat e parapara sipas neneve të lartcekura prandaj e konsideron si të papranueshëm dhe kundër të drejtave të njeriut linçimin publik dhe institucional (ndërkombëtar) që po u bëhet dhe u është bërë edhe më parë të arrestuarve, pavarësisht përkatësisë etnike, natyrës së veprës dhe përkatësisë politike.

“Vetëm i formës së prerë i gjykatave përkatëse, pas administrimit të provave , krijimit të kushteve për mbrojtje efektive të të akuzuarve, mund të vendosë për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve. Kështu ndodh në vendet demokratike nga vijnë prokurorët dhe gjykatësit e EULEX – it dhe atje mbrohet dinjiteti i të arrestuarve por edhe i të dënuarve kurse fushata linçuese përmes medieve do të llogaritej si e papranueshme. Në Kosovë ndërkombëtarët e testojnë opinionin duke i furnizuar disa medie me informata sensacionale sikur rasti i prokurorit Vrejsvik që deklaronte se Limaj i ka shpërdorur 80 milionë euro. Apo akuzat për rastin ‘Kleçka’ . Apo rasti i ish guvernatorit Rexhepi , drejtorit të Bankës Milazim Abazi e shumë raste të tjera që përfunduan në pafajësinë e plotë të të akuzuarve pasi që iu shkaktuan vuajtje të mëdha shpirtërore dhe fizike , atyre dhe familjeve të tyre dhe pasi ua rrënuar krejtësisht karrierat duke i dëmtuar profesionalisht dhe moralisht”, thuhet në reagim. 

(Kosova Sot)