Ministrja Tahiri: Shqiptarët e Bursës të investojnë në Kosovë

  • 31 May 2016 - 11:34
Ministrja Tahiri: Shqiptarët e Bursës të investojnë në Kosovë

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, dje mori pjesë në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar të Ballkanit të katërtin me radhë në Bursa të Turqisë, të organizuar nga Rumelisiad, organizatë kjo e themeluar nga biznesmenët shqiptarë dhe emigrantët tjerë të ardhur në Turqi nga vendet e Ballkanit. Në mesin e pjesëmarrësve ishin qeveritarë dhe biznesmenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bullgaria, Rumania dhe Greqia.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja Tahiri theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi ekonomik mes shteteve të Ballkanit dhe Turqisë dhe kërkoi që investimet e Turqisë të rriten edhe në Kosovë duke u bërë thirrje sidomos shqiptarëve të Bursës që të investojnë në Kosovë duke u kërkuar atyre t’i shtrijnë bizneset në vendlindjen e të parëve. “Ju, biznesmenët shqiptarë që jetoni në Bursa dhe anë e mbanë Turqisë keni dy vendlindje, andaj, ky është një obligim i dyfishtë për ju, sepse ju takon që të investoni në Turqi si vendi ku jetoni, por edhe në Kosovë dhe në mbarë tokat shqiptare prej nga keni ardhur”, tha Tahiri. Ashtu siç e keni bërë Bursën një fuqi ekonomike ashtu presim të kontribuoni edhe për Kosovën që ta bëjmë një fuqi ekonomike për të cilën Kosova ka potenciale të mëdha, tha ajo.

Gjithashtu Ministrja Tahiri shtoi se Kosova po zhvillohet çdo ditë e më shumë dhe ka potenciale të mëdha ekonomike dhe burime njerëzore të përgatitura për standardet e ekonomisë së tregut modern, për këtë arsye Kosova është një vend me interes për investime të jashtme. Fizibiliteti për investime ekonomike në Kosovë është pozitiv dhe kjo besoj është garanca më e mirë për ju investitorët, sepse Kosova ka bërë reforma legjislative në favor të investimeve strategjike dhe ka krijuar mekanizma për garantimin e investimeve. Më shumë se kaq, Kosova tashmë ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit në BE, me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe vendimi për liberalizimin e vizave ka nxjerrë qytetarët e Kosovës nga izolimi i padrejtë. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe përkushtimi jonë për të plotësuar standardet e tregut të lirë dhe cilësisë së produkteve janë një garanci e qëndrueshme për investitorët potencial nga jashtë për të investuar në Kosovë. Njëkohësisht znj. Tahiri falënderoi shtetin e Turqisë për mbështetjen që i ka bërë shtetit të Kosovës në planin diplomatik dhe të njohjeve duke vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve,thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot)