Tentojnë të përdhunojnë 21-vjeçaren, arrestohen autorët

  • 31 May 2016 - 11:45
Tentojnë të përdhunojnë 21-vjeçaren, arrestohen autorët

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy të rinj, pasi kanë tentuar të përdhunojnë një vajzë 21- vjeçare.

Mësohet se dy të rinjtë e arrestuar janë shtetasit me iniciale L. B., 25 vjeç dhe D. B., 23 vjeç, nga Mamurrasi.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Paskuqanit, në periferi të kryeqytetit, kur e dëmtuara ka qenë duke u kthyer në mbrëmje në shtëpi, pasi kishte përfunduar kursin e anglishtes.

Burime nga policia thanë se, dyshohet se personat e arrestuar i ndiqnin lëvizjet e vajzës prej disa ditësh dhe ishin në dijeni të orarit kur ajo kthehej në shtëpi, siç dinin edhe që ajo ishte gjithmonë vetëm.

Për këtë arsye, ata e kanë pritur në një rrugicë të errët, disa metra larg shtëpisë së saj dhe sapo e kanë parë që po afrohej drejt tyre, njëri prej djemve i ka dalë para, duke e tërhequr nga krahu, në drejtimin ku ishte edhe shoku i tij.

Sipas denoncimit të bërë nga vetë 21-vjeçarja, autorët i kanë mbyllur gojën me duar duke mos e lejuar që të kërkojë ndihmë, ndërsa i kanë grisur me forcë bluzën që kishte veshur.

Ajo thotë se është përleshur me ta dhe për këtë arsye ata edhe e kanë dëmtuar, duke i lënë disa shenja dhune në trup. Burimet thanë se shenjat ishin të dukshme në disa pjesë të trupit, kryesisht në krahë dhe në pjesën e qafës. Sipas vajzës, djemtë kanë tentuar ta përdhunojnë, por fatmirësisht ata kanë dëgjuar hapat e disa personave që po afroheshin pranë rrugicës dhe nga frika kanë vrapuar që të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë 21-vjeçarja ka nxjerrë nga çanta telefonin dhe i ka telefonuar numrit 129 të sallës operative, ku ka denoncuar ngjarjen. Drejt adresës së dhënë janë nisur shërbimet e komisariatit nr.3, që brenda pak minutash kanë arritur të lokalizojnë dhe të arrestojnë autorët e dyshuar të ngjarjes, shkruan Shekulli.

Mësohet se dy të dyshuarit janë njohur edhe nga vajza, së cilës i janë treguar fotografitë e tyre në komisariatin nr.3, ndërsa vetë të akuzuarit nuk kanë pranuar të flasin për ngjarjen, duke mohuar të jenë autorë.

(Kosova Sot)