AI: Shtim dramatik i afganëve të zhvendosur

  • 31 May 2016 - 13:22
AI: Shtim dramatik i afganëve të zhvendosur

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, "Amnesty International", tha se numri i afganëve të zhvendosur për shkak të dhunës dhe që kanë mbetur të ngujuar në vendin e tyre, është dyfishuar gjatë tri viteve të fundit. Një numër tronditës prej 1.2 milion njerëzish janë zhvendosur në Afganistan, duke shënuar një rrite dramatike prej 500 mijë sa ishin në vitin 2013, thuhet në një raport të kësaj organizate, e cila po përpiqet të hedhë më shumë dritë në viktimat e harruara të luftës në vend. Raporti është publikuar në mes të frikës nga përshkallëzimi i gjendjes për shkak të sulmeve të kryengritësve talibanë gjatë këtij viti.

“Edhe pas largimit nga shtëpitë e tyre në kërkim të një strehe të sigurt, një numër i madh i afganëve vuajnë në kushte të tmerrshme në vendin e tyre duke luftuar për mbijetesë pa asnjë shpresë për zgjidhje", tha drejtori i Amnesty International për Azinë Jugore, Champa Patel. Sipas Komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, afganët përbëjnë një numër të madh të refugjatëve në botë me rreth 2.6 milionë syresh që jetojnë në Pakistanin dhe Iranin fqinjë. "Ndërsa vëmendja e botës është larguar nga Afganistani, rrezikojmë të harrojmë hallin e atyre që kanë mbetur pas konfliktit", tha Patel.

Sipas "Amnesty International", me gjithë zotimet e qeverive afgane, personat e zhvendosur vazhdojnë të përballen me mungesën e strehimit të përshtatshëm, ushqimit, ujit, kujdesit shëndetësor dhe mundësve për arsimim dhe punësim. Studimi ka gjetur se gjendja e të zhvendosurve është përkeqësuar në mënyrë dramatike gjatë viteve të fundit, me më pak ndihma të domosdoshme siç është ushqimi.

Raporti fajëson për këtë gjendje korrupsionin, mungesën e mundësive të qeverisë afgane dhe rënien e interesimit ndërkombëtarë për zbatimin e politikës së re kombëtare për personat e zhvendosur që është hartuar në vitin 2014. "Amnesty International" u bën thirrje autoriteteve afgane dhe komunitetit ndërkombëtarë për përmbushje të menjëhershme të nevojave të personave të zhvendosur. "Afganistani dhe bota duhet të veprojnë menjëherë për t'i dhënë fund krizës me personat e zhvendosur sa nuk është bërë vonë", tha Patel.

Qeveria afgane nuk ka komentuar raportin e "Amnesty International".

(Kosova Sot)