Në Komunën e Novobërdës 10 persona marrin pagë pa punuar fare

  • 31 May 2016 - 13:23
Në Komunën e Novobërdës 10 persona marrin pagë pa punuar fare

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në Raportin për Vitin 2014 ka konstatuar se 10 persona janë në listën e pagave pa punuar fare në Komunën e Novobërdës.

Sipas Zyrës së Auditorit për pagat e këtyre punëtorëve komuna në vitin 2014 ka paguar 14 mijë e 699 euro.

Komunën e Novobërdës aktualisht e udhëheq Svetisllav Ivanoviq, ndërsa nënkryetar për komunitete është Bajrush Ymeri.

Kallxo.com dërgoi pyetje në Komunën e Novobërdës për të sqaruar masat e ndërmarra nga ky institucion në lidhje me gjetjet e Zyrës së Auditorit.

Zyrtari për informim i kësaj komune Sinisha Markoviq përmes e-mailit ka shkruar se ai nuk është kompetent të përgjigjet dhe përgjegjësia u takon drejtorive të caktuara.

Kallxo.com kontaktoi edhe Bajrush Ymerin në lidhje me 10 punëtorët fiktivë, por Ymeri, si zëdhënësi Markoviq nuk dha përgjigje, duke thënë se nuk preferon t’i komentojë gjetjet.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Kamenicës Adem Abazi nëpërmjet e-mailit mohoi se punëtorët që përmend ZAP-i janë fiktivë.

“ZAP na ka njoftuar se ka gjetur 10 punëtorë “fiktivë” në një shkollë serbe. E para, punëtorë fiktivë dhe që marrin pagë, nuk mund të ketë. Të jesh fiktiv, domethënë je imagjinar, të jesh imagjinar nuk mund të kesh letërnjoftim të republikës, e pa letërnjoftim të Kosovës dhe dokumentet tjera, kontratë pune, dokumentacion bankar etj., nuk mund të marrësh pagë nga ministria e linjës.  Pra ata punëtorë nuk janë fiktivë. Kjo është lehtë e vërtetueshme në MAP, në listën e pagave,” sqaroi Abazi.

Ai më tutje shkroi se të dhënat e auditorit nuk përputhen me realitetin në shkollat e Novobërdes.

“Përzgjedhja e punëtorëve në arsim bëhet në bashkëpunim mes Drejtorisë së Arsimit dhe shkollës. Përgjegjës për përcjelljen e punës dhe vijueshmërisë së rregullt në punë në secilën shkollës është menaxhmenti, përkatësisht drejtoria e asaj shkolle. Ne nuk kemi asnjë raport nga asnjë shkollë për mosvijueshmëri të ndonjë punëtori. Në të kundërtën, ligji i parasheh masat ndaj mosvijueshmërisë në punë të secilit nëpunës,” shpjegoi Abazi për  me anë të postës elektronike.

Në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Vitit 2014 është theksuar që Komuna e Novodërdës ka dështuar në miratimin e rregullores së saj për menaxhimin e stafit. Si rezultat kanë ndodhur dobësi sistematike që kanë rezultuar me rekrutime dhe pagesa të parregullta të stafit të komunës.

Sipas ZAP-it 10 punëtorët që kjo zyrë i quan fiktivë nuk kanë kaluar përmes procesit të rregullt të rekrutimit.

(Kosova Sot)