PDK voton rishikimin e buxhetit, koalicioni në Pejë nuk prishet

  • 31 May 2016 - 13:49
PDK voton rishikimin e buxhetit, koalicioni në Pejë nuk prishet

Koalicioni në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Pejës megjithatë nuk do të prishet, ashtu siç kishte paralajmëruar vet kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri.

“Dy drejtorët komunalë nga radhët e PDK-së, Ukë Selimaj, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Sali Lajqi, drejtor i Urbanizmit, kanë vendosur ta votojnë rishikimin e buxhetit dhe koalicioni do të vazhdojë normalisht”, ka thënë për Klan K, zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj.

Problemi mes partnerëve kishte filluar me datën 20 maj kur dy drejtorët nga PDK kishin refuzuar ta votonin rishikimin e buxhetit dhe kryetari Muhaxheri i kishte kërcënuar me përjashtim nga koalicioni.

“Për juve të PDK-së që s’keni votuar qetash po ju kallëzoj që ma në qeveri s’keni çka me lyp”, kishte thënë Muhaxheri.

Madje në Zona B të Klan Kosovës Muhaxheri pati deklaruar se nuk do ta ketë fare problem të qeverisë në Pejë pa partneritetin e PDK-së.

“Realisht në Pejë mundemi të vazhdojmë edhe vetë, pa PDK-në. Partnerët kanë shkaktuar një tensionim në komunë dhe është dashur të merren disa masa për ta shtensionuar atë situatë”.

(Kosova Sot)