Premtohen 2 milionë euro për Qendrën Historike

  • 31 May 2016 - 13:53
Premtohen 2 milionë euro për Qendrën Historike

Si të shpëtohet zona e vjetër e qytetit të Prizrenit?

Shoqëria civile në Prizren disa herë ka ngritur shqetësimin për degradimin e kësaj pjese të qytetit

Ndërtimet pa leje në Zonën historike të Prizrenit, si dhe rastet e incidenteve të fundit, ku janë djegur disa shtëpi të vjetra, kanë alarmuar autoritetet dhe shoqërinë civile në Prizren për rrezikun që i kanoset kësaj zone, që konsiderohet edhe si zonë emblemë e qytetit.

Për këtë qëllim dje u mbajt takimi i radhës së Task-Forcës për Qendrën Historike të Prizrenit.

Në këtë takim morën pjesë ministri i Mjedisit, Ferid Agani, dhe ai i Kulturës, Kujtim Shala, pastaj kryetari Ramadan Muja, kryesuesi i Task-Forcës për Qendrën Historike të Prizrenit, Qemajl Hasani, dhe përfaqësues të QRKT-së nga Prizreni, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Në takimin e task-forcës u tha se dy vitet e fundit nuk ka pasur ndërtime pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit. Po ashtu, drejtuesit e Task-Forcës u shprehën se është rritur vetëdija për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore të këtij qyteti.

Gjithashtu, u prezantua raporti rreth gjendjes të objekteve në Qendrën Historike të Prizrenit dhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo qendër.

Ministri Ferid Agani shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar ngushtë me MKRS-në dhe organizmat e tjerë në funksion të krijimit të këtyre masave shtesë. Ai më tej shpjegoi punën që po bën kjo ministri nëpërmjet Task-Forcës së saj për të identifikuar problemet me të cilat ballafaqohet kjo qendër, duke theksuar se Task-Forca nuk është organ ligjor, por organ mbikëqyrës.

Investimet do të kryhen në periudhën afatmesme

Ministri Kujtim Shala u shpreh se ky takim i përbashkët i këtij niveli është në funksion të mbrojtjes së Qendrës Historike të Prizrenit në përputhje me ligjin dhe detyrimet që i ka gjithsecili.

Po ashtu, ministri Shala u shpreh se plani për menaxhimin e Qendrës Historike është duke u hartuar dhe pasi të finalizohet ai krijon kushte të reja për të ruajtur këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore nga degradimet.

Ministri, ndër të tjera, tha se ky plan krijon kushte për projeksione dhe punë korrekte për investime në vitet e ardhshme, në mënyrë që kjo qendër të rikthehet në gjendjen autentike.

Ministri Shala u shpreh se plani i menaxhimit krijon mundësi edhe për të zhvilluar një projeksion buxhetor dhe MKRS-ja në periudhën afatmesme do të investojë 2 milionë euro në Qendrën Historike të Prizrenit.

Shoqëria civile në Prizren disa herë ka ngritur shqetësimin për degradimin e kësaj pjese të qytetit, kurse më të zëshme kanë qenë organizata "Ec ma ndryshe" dhe KDI-ja.

(Kosova Sot)