Krimi ekonomik lulëzon, policia mrizon

  • 31 May 2016 - 07:47
Krimi ekonomik lulëzon, policia mrizon

Asnjëra nga qeveritë e pasluftës, përfshirë Qeverinë e tashme ‘Mustafa’, nuk kanë bërë sa duhet për luftimin e dukurive negative, duke filluar që nga konkurrenca jo e barabartë në treg, pastaj  evazioni fiskal si edhe kontrabanda. Analistët e ekonomisë dhe deputetët e opozitës e kanë vënë në llupën e kritikave Policinë e krimeve ekonomike, duke e akuzuar se nuk po lufton sa duhet kriminalitetin e këtij lloji,shkruan gazeta Kosova Sot.

Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Policisë së krimeve ekonomike se çfarë kanë bërë ata në luftimin e të këqijave të këtij vendi, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë asnjë përgjigje gjatë ditës së hënë. Deputeti Enver Hoti (Nisma për Kosovën) tha se ndikimi i politikës edhe në këtë fushë të sundimit të ligjit edhe të drejtësisë, duke i instaluar njerëzit e partive, e ka bërë të dështuar luftën kundër krimeve ekonomike. “Nuk duhet që të çuditemi fare dhe se nuk po duken asgjëkund lufta e pushtetarëve tanë duke filluar që nga konkurrenca jo e barabartë, evazioni fiskal e kontrabanda. Kjo sepse rezultatet e deritanishme të kësaj policie në luftimin e këtyre dukurive të këqija janë gati zero”, theksoi ai. Faktin se mbrapa oligarkëve të bizneseve që kanë krijuar monopole në Kosovë qëndrojnë të fortët e politikës në pushtet e pohon sot pothuajse secili njohës i zhvillimeve politike dhe ekonomike.  

Shembulli “Devolli”, skandali më i madh

Askush nuk e mohon faktin se Perandoria "Devolli" u shpërblye me dhënien për vetëm 7 milionë euro të Fabrikës së Amortizatorëve, kur ajo vlerën minimale e kishte 100 milionë euro. Ka zëra, sipas të cilëve hisen më të madhe në Perandorinë "Devolli" e ka kryesisht Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës. Jorastësisht në zgjedhjet e fundit në këtë parti u përforcua krahu i Pejës, edhe pse PDK-së vota nuk i bie as sa për tërheqje të vëmendjes, por i sjellin shumë thasë me para. Sipas deputetit të Lëvizjes 'Vetëvendosje!', Ismail Kurteshi, del se nuk është aspak sekrete lidhja e partive në pushtet, PDK dhe LDK, me Devollët. "Se pas këtyre qendrave qëndrojnë politika, pushtetarët, nuk ka asnjë dyshim. 'Devolli', që po i shet popullit krunde në vend të miellit, ose po paguan doganë për krunde e po importon miell dhe po shpëton pa një ferrë në këmbë, pa përkrahje të pushtetarëve, një gjë e tillë nuk do ta kishte të mundur. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin se skandalet e kësaj kompanie dhe shumë kompanive të tjera po vazhdojnë edhe nën regjimin e ri të Isa Mustafës, pa përjetuar as një pasojë, është dëshmi e fortë se koalicioni komplet është i involvuar në këto punë të pista dhe nga një qeveri e tillë dhe njësia e saj e krimeve ekonomike nuk mund të priten masa konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", thotë deputeti Kurteshi.

Lidhjet kriminale u trashën në koalicionin PDK-LDK

Lidhjen e tillë kriminale me pushtetin e pohon edhe deputetja Teuta Haxhiu, nga AAK-ja, por emrat mbeten për t'u zbuluar."Me rëndësi është dëmi që po i bëhet vendit me favorizimet që janë bërë dhe kanë treguar se nuk është diçka e re që ka ndodhur, por këta e kanë treguar në vazhdimësi, dhe pikërisht për këtë ne jemi edhe si opozitë që po duam t'i ndalim këta trendë të këqij të qeverisjes se keqe", thotë deputetja Haxhiu. Ajo ka pohuar se nuk është vetëm qeveria e kaluar e PDK-së ajo që ka pasur lidhje kriminale me Devollët, por kjo lidhje vazhdon edhe në koalicionin e tanishëm qeveritar, PDK-LDK. Ndërsa ish-ministri i Financave, Haki Shatri, është i mendimit se dukuria e krimit të organizuar, ekonomia joformale dhe korrupsioni dita-ditës po lulëzojnë në Kosovë. Sipas Shatrit, krimi i organizuar, ekonomia joformale dhe korrupsioni në Kosovë janë ato dukuri, të cilat i kanë larguar investitorët potencialë nga vendi. Shatri thotë se nga njohësit e ekonomisë thuhet se viteve të fundit në Kosovë ekonomia informale ka qenë në kuotën e 35 për qind. Ndërsa, nga Oda Ekonomike Amerikane thuhet se ekonomia joformale viteve të fundit në Kosovë nga viti 2013 është 27- 35 për qind e bruto produktit vendor. Sipas Odës Ekonomike Amerikane (OEAK) për vitin 2013 ekonomia joformale ka qenë prej 1. 4 miliard deri në 1.8 miliard, duke paraqitur kështu 27- 35 për qind të bruto produktit vendor të Kosovës.

Informaliteti, rrënues për ekonominë dhe buxhetin

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në OEAK, tha se një prej formave për ta luftuar ekonominë joformale është edhe fiskalizimi i operatorëve ekonomikë, por sipas tij ky projekt duhet të mbikëqyret nga ATK-ja. Ai kritikoi edhe pronarët e pompave të derivateve për mosfiskalizim të tyre.“Nga 900 pika të shitjes së derivateve vetëm 60 prej tyre janë të fiskalizuara. Duke e ditur që ky sektor është një nga sektorët më të mëdhenj në vend, një evazion i tillë pa dyshim ka dëmtuar seriozisht buxhetin e shtetit”, tha Zeka. Ndërkaq, sipas një studimi të Odës Ekonomike të Kosovës, thuhet se mosefikasiteti institucional dhe praktikat korruptive po bëjnë që bizneset kosovare të orientohen në forma të pandershme të sigurimit të avantazhit konkurrues. Në raport veç saj thuhej se shumë biznese operojnë në të zezë dhe paguajnë tatim vetëm për një pjesë të qarkullimit të tyre dhe se ekonomia joformale po e dëmton buxhetin e Kosovës, po i dëmton bizneset që punojnë në mënyrë të ndershme, të punësuarit në sektorin privat dhe imazhin e Kosovës për të bërë biznes. 

(Kosova Sot)